Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të vajzave e grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.
Si pasojë e dhunës, shumë nga viktimat pajisen edhe me urdhër të mbrojtjes nga Gjykata, mirëpo as kjo nuk respektohet gjithmonë nga të dyshuarit.
Sinjali mëson se një rast i tillë ka ndodhur në një familje në rrugën ‘Muharrem Fejza’ në Prishtinë, ku një person për të disatën herë me radhë ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij.
Burimet e Gazetës Sinjalit bëjnë me dje se 19-vjeçarja, e cila është e pajisur me urdhër të mbrojtjes, ka denoncuar sërish babanë e saj, për të cilin është ankuar se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj saj.
Si pasojë e dhunës, viktima pa marrë lëndime të dukshme trupore dhe ka marrë edhe tretman mjekësor, ndërkohë që 57-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mospërfillje e gjykatës’.