600 euro ryshfet për certifikatë për armë – Aktakuzë ndaj 8 personave

600 euro ryshfet për certifikatë për armë – Aktakuzë ndaj 8 personave

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave, nën dyshimin për veprat penale Pranimi i Ryshfetit në sektorin privat, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, falsifikimi i dokumentit zyrtar dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumentit.

Të pandehurit F.G. dhe M.G., dyshohen për veprën penale ‘’Pranimi i Ryshfetit në Sektorin Privat’’, të pandehurit S.B., R.M., dhe H.N., për veprën penale “Falsifikimi i dokumentit”, ndërsa të pandehurit B.H., S.B., dhe B.G., për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumentit”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri F.G., në cilësinë e menaxherit në Poligonin “R….’’, me dashje dhe dijeni të plotë ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke pranuar përfitime të kundërligjshme. Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, thuhet se i pandehuri në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare ai ka pranuar shumën prej 600 euro, me qëllim që një kandidati t’i sigurojë çertifikatë për aftësim në përdorimin e armëve të zjarrit, pa iu nënshtruar trajnimit dhe provimit teorik dhe praktik.

“Ndërsa i pandehuri M.G., me dashje dhe dijeni të plotë në vazhdimësi ka ndihmuar në kryerjen e kësaj vepre penale, duke i mundësuar të pandehurit F.G., përfitimin e kundërligjshëm, përkatësisht pajisjen e kandidatëve me çertifikata për aftësimin në përdorimin e armëve të zjarrit pa ndjekur procedurat ligjore të trajnimit dhe testimit profesional, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

Të pandehurit S.B., R.M., H.N., në cilësinë e instruktoreve/ ligjëruesve në Poligonin “D….”, në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë shënuar të dhëna të rreme në dokumente zyrtare, duke nënshkruar çertifikata për aftësimin në përdorimin e armëve të zjarrit, për persona që nuk i janë nënshtruar trajnimit teorik dhe praktik dhe me këto veprime, ata kanë vepruar në kundërshtim me nenin 12 të Ligjit Nr.05/L-022 për Armë dhe nenit 7 të udhëzimit Administrativ (MPB) për aftësimin teorik dhe praktik për armë.

“Ndërkaq, e pandehura B.G., në cilësinë e administratores në Poligonin “D…..”, në mënyrë të kundërligjshme ka plotësuar “Kërkesën për provim profesional për armë” me të dhënat personale të kandidatit dhe më pas ka nënshkruar në emër të tij në dokumentin përkatës, pa qenë fare i pranishëm kandidati”, thuhet në njoftim.

Related Articles