Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Xibër të Klosit, ku është gjetur i pajetë një burrë rreth 65 vjeç.
Sipas informacioneve zyrtare nga Policia e Shtetit, viktima është identifikuar si S. V., i cili është gjetur pranë banesës së tij me plagë të shkaktuara nga goditje me mjet prerës.
“Mbrëmjen e sotme, në fshatin Xibër, pranë pronës së tij, është gjetur pa shenja jete shtetasi S.V., rreth 65 vjeç. Nga këqyrja paraprake janë konstatuar dëmtime në trup, të shkaktuara dyshohet nga mjet prerës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Aktualisht, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave, si dhe për identifikimin e autorit ose autorëve të mundshëm.
Ende nuk ka të dhëna mbi motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa hetimet vijojnë intensivisht.