Një rast “Vdekje e dyshuar” është raportuar sot në Prishtinë, pasi një 74-vjeçar ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Më 2 mars 2026 rreth orës 11:30, Policia është njoftuar nga mjekët kujdestarë të Klinikës Infektive në QKUK se ka ndërruar jetë V.M. mashkull serb/kosovar.
Viktima ka qenë i strehuar në Qendrën Integruese dhe Rehabilituese për Sëmundje Kronike në Shtime, institucion ku strehohen persona që nuk kanë mundësi të kujdesen për veten.
Ai ishte dërguar në Klinikën Infektive më 28 shkurt 2026 nga Urgjenca e qytetit të Shtimes. Mjekët kanë raportuar se viktima kishte probleme shëndetësore në raport me sistemin vaskular, ndërsa nuk janë konstatuar shenja apo dëmtime të jashtme trupore që do të ngrinin dyshime për ndonjë vepër penale.
Përmes Stacionit Policor në Shtime është njoftuar edhe Qendra ku ka qenë i strehuar viktima. Sipas përgjegjësve të këtij institucioni, i ndjeri nuk ka pasur familjarë, ndërsa gjendja e tij shëndetësore kishte qenë e rënduar kohët e fundit.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda, e cila ka udhëzuar që të pritet vendimi i institucionit përkatës lidhur me obduksionin.
Rasti po trajtohet si “Vdekje e dyshuar”.
