Një rast i kanosjes është raportuar dje në fshatin Burojë të Skenderajt, ku një person e ka denoncuar në Polici xhaxhain e tij 79-vjeçar.
Siç mëson Sinjali nga burimet brenda Prokurorisë, rasti ka ndodhur në orët e pasdites së djeshme, kur një person e ka telefonuar Policinë për ta raportuar një rast të kanosjes, pas akuzave të xhaxhait të tij.
Burimet thonë se xhaxhai 79-vjeçar dyshohet se e ka kërcënuar nipin 57-vjeçar, duke e akuzuar se po ia ngacmon bashkëshorten e tij.
Pas marrjes së informacionit, Policia ka shoqëruar dy palët për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre për këtë konflikt familjar.
Viktima ka dëshmuar para hetuesve policorë se ndihet i frikësuar pasi xhaxhai i tij iu është drejtuar me fjalët “Vdekjen ke me pasë prej meje, se me pasë një armë t’kisha vrarë në këtë moment”.
Lidhur me rastin, Prokuroria ka nisur hetimet ndaj të dyshuarit për veprën penale “kanosje”.