Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se nga data 5 deri më 13 maj janë raportuar 9 raste të fruthit në Kosovë.
Katër raste janë raportuar në Ferizaj, dy në Shtime dhe nga një rast në Lipjan, Graçanicë dhe Fushë Kosovë.
Mosha më e prekur në këto raste është ajo 1 deri në 2 vjeç, sipas IKSHPK-së.
Njofitimi i plotë:
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) informon se nga data 05 deri më 13 maj 2025, në Kosovë janë raportuar 9 raste të fruthit: 4 raste nga Ferizaji; 2 raste nga Shtimja dhe nga 1 rast në komunat: Lipjan, Graçanicë dhe Fushë Kosovë.
Sipas grup-moshave, rastet e raportuara janë: 7 raste të moshës 1-2 vjeç dhe 2 raste të moshës 4-5 vjeç.
Të gjitha rastet kanë të bëjnë më fëmijë të pavaksinuar me vaksinën MMR (fruth, rubeollë dhe shyta).
IKSHPK tërheq vërejtjen se nuk bëhet fjalë më vetëm për raste të “importuara”, por për raste të fruthit të shfaqura brenda komunitetit në Kosovë, drejtpërdrejt si pasojë e mosvaksinimit.