Tre zyrtarët komunalë të Deçanit: Ramë Melaj, Halil Tolaj dhe Jashar Hulaj, janë dënuar me 9 vite e 9 muaj burgim dhe 20 mijë euro gjobë (së bashku) lidhur me akuzën për korrupsion.
Sipas aktakuzës, Ramë Melaj në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit, Halil Tolaj, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Inspeksionit dhe Jashar Hulaj, në cilësinë e shefi të sektorit për Inspeksion kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Shpalljen e aktgjykimit e bëri kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova, të mërkurën pranë Gjykatës Themelore në Pejë, raporton “Betimi për Dretjësi”
Ndaj të akuzuarit Ramë Melaj, Gjykata ka shqiptuar dënim me 3 vite e 9 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga pika 1, 2 dhe 3 e akuzës, ndërsa e ka liruar për pikën 4 të akuzës.
I akuzuari Jashar Hulaj, u dënua me 3 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Edhe i akuzuari Halil Tolaj, u dënua me 3 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Ndaj tre të akuzuarve, Gjykata ka shqiptuar edhe dënim plotësues- ndalimin e ushtrimit të funksionit publik në administratë publike apo shërbim publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh pas mbajtjes së dënimit me burg.
Sipas aktgjykimit, dënimin me gjobë, të akuzuarit janë të obliguar ta paguajnë në afat prej 3 muaj nga plotfuqishmëria e aktgjykimit
Po ashtu, secili prej tyre obligohet të paguajë paushallin gjyqësor në shumën prej 100 euro dhe nga 50 euro për fondin për viktimat e krimit.
Tre zyrtarët e Komunës së Deçanit në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 12 shtator të vitit 2022 ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat e Prokurorisë së Pejës.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 18 korrik 2022, i pandehuri Ramë Melaj akuzohej se më 3 mars 2020, në objektin e Komunës së Deçanit, në cilësinë e drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore/projektit nga BE-ja në shumë prej 170 mijë euro, për organizatën “Shtëpia Alpike”, me përfaqësues Jeton Berisha.
Sipas aktakuzës, i pandehuri duke vepruar në kundërshtim me nenin 4 të Ligjit për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për ndërtim, lëshon vendimin nr. 04.nr.6082/1 për lejimin e ndërtimit të objektit të qendrës turistike në “Bjeshkët e Nemuna”, ashtu që i pandehuri me rastin e pranimit të kërkesës nga Drejtoria për Ekonomi dhe Zhvillim në Komunën e Deçanit, lëshon lejen në fjalë me të cilën ia mundëson dhe lejon organizatës ndërtimin e objektit të qendrës turistike në ngastrën kadastrale Isniq, në pasuri shoqërore, pronë kjo nën administrim të AKP-së, e cila shtrihet në zonën e parkut kombëtar, me të cilën menaxhon MMPHI-ja e për të cilën ngastër nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi pa miratimin e Planit Hapësinor të zonës së veçantë për Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna”.
I pandehuri po ashtu akuzohej se kishte nxjerrë vendim për leje mjedisore komunale në bazë të kërkesës së përfaqësuesit të autorizuar të OJQ “Kosovo Montain Club”, Adriatik Gacaferri për lejimin e zbatimit të projekteve të tyre “Zhvillimi i shtegut të ngjitjes Sportive –Via Ferata Deçan”, si dhe “Shtegu për ngritje në faqe shkëmbore në Gryken Deçanit”.
Sipas akuzës, nxjerrë vendim për leje mjedisore që mundëson OJQ-së zbatimin e projektit në dy ngastra kadastrale- pasuri shoqërore nën administrim të AKP-së në zonën e parkut kombëtar me të cilën zonë në bazë të ligjit menaxhon MMPHI-ja dhe për të cilën nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi në mungesë të miratimit të planit hapësinor të zonës së veçantë për Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna”.
Në dispozitivin e tretë, i pandehuri ngarkohej se kishte keqpërdorur duke tejkaluar kompetencat e tij si drejtor i Urbanizimit me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore/grantit nga BE-ja, në shumë prej 323 mijë e 160 euro për personin Bashkim Ahmetaj.
Sipas akuzës, i pandehuri lëshon pëlqimin për aplikim dhe ndërtim të objektit me etazhitet B+P+1, ndërtimin e 24 bujtinave dhe hapësirave për montimin e lojërave rekreative, kjo duke vepruar sipas kërkesës së parashtruar nga i lartcekuri për ndërtimin në ngastrën kadastrale me nr.209/0 ZK Isniq, pronë e të njëjtit, me të cilën ia mundëson zbatimin e projektit të sipërshënuar në zonën e parkut kombëtar, me të cilën zonë në bazë të ligjit menaxhon MMPHI-ja dhe për të cilën nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi në mungesë të miratimit të Planit Hapësinor të zonë së veçantë për Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna”.
Kurse në dispozitivin e katërt, i pandehuri ngarkohej se ka lëshuar vendimin për ndërtimin e objektit afariso-banesor për subjektin ekonomik “Lika Trade” SHPK, me pronar Jahir Likaj, duke qenë në dijeni se kushtet për ndërtim nga PRRU-ja dhe për marrëveshjen paraprake të datës 15 nëntor 2011 e lidhur me Komunës së Deçanit dhe investitorit “Gogaj AG”, si dhe duke qenë nënshkrues i aktvendimit me nr. 04. 167/1, i datës 28 janar 2013 si dhe kushteve të lokacionit për ngastrën nr.1073/1 PSH e Komunës së Deçanit, me përfitues subjektin ekonomik “Gogaj AG”, edhe përkundër kësaj i njëjti lëshon vendimin për leje ndërtimore me përfitues subjekti ekonomik “Lika Trade”, të cilit ia mundëson ndërtimin e objektit afaristo-banesor në ngastrën e njëjtë, e me vlerë inventive prej 24 mijë e 134 euro e 17 centë.
Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.2 e lidhur me par.1 të KPRK-së.
Të pandehurit Halil Tolaj dhe Jashar Hulaj ngarkoheshin se më 11 shkurt 2019 e në vazhdimësi deri më sot, në bashkryerje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim që të përfitojë personi tjetër.
Sipas akuzës, i pandehuri Tolaj si drejtor i Inspekcionit në Deçan dhe i pandehuri Hulaj si shef i sektorit për Inspekcion në këtë komunë, nuk ndërmarrin veprimet e nevojshme për të zbatuar inspektimin sipas detyrimeve ligjore, duke i mundësuar ndërtimin e tre kateve shtesë dhe katit tërheqës në objektin afaristo-banesor “Lindi Residence”, që sipas lejes ndërtimore i lejohej ndërtimi me etazhitet B+P+3K. Përkundër që kanë qenë në dijeni për këtë fakt sipas inspektimit të datës 5 mars 2021 dhe inspektimit të datës 11 qershor 2021, ku edhe janë vënë shiritat për mbyllje të vendpunimit, si ndërtime të kundërligjshme, e që të njëjtit sipas detyrës zyrtare kanë qenë të obliguar të marrin vendim për rrënim, mirëpo nuk veprojnë në këtë drejtim duke i mundësuar që investitori të vazhdojë me punime ndërtimore të kundërligjshme, duke përfunduar objektin afarist-banesor, duke i mundësuar përfitim përmes rritjes së sipërfaqes rreth 2500m2.
Me këtë, në bashkryerje ngarkoheshin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.2 e lidhur me par.1, nenin 31 dhe 77 të KPRK-së.