Aziri tha se ligji si çështje pikënisjen e ka në Kuvend dhe për këtë arsye edhe aty do të dorëzohet e pastaj pjesa tjetër është obligim i shumicës parlamentare.
Teksti i ligjit për shtetësi është gati. Pritet që të hënën opozita shqiptare ta dorëzojë deri tek koordinatorët e grupit parlamentar të shumicës për ta parë. Elmi Aziri nga koalicioni ASH-AAA, nuk dha shumë detaje mbi ligjin.
“Ne si koalicion e kemi kryer punën tonë, e kemi përfunduar draftin përfundimtar të propozim ligjit dhe do ta dorëzojmë tek grupi parlamentar i shumicës qeveritare”, deklaroi Aziri.
Por kryeministri Zaev tha se ligji duhet të dorëzohet në Ministrinë e Brendshme për shqyrtimin nga ana e ekspertëve.
“Qëllimi ishte që ta dorëzojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme që së pari ta shohin ekspertët. Me siguri kur ata të formojnë qëndrimin e tyre, do ta dorëzojnë tek unë dhe kabineti im për ta shqyrtuar”, u shpreh Zaevi.
Aziri tha se tash në vend të tre dëshmitarëve siç e kishin propozuar ata, si dëshmi do të jenë 15 dokumente prej të cilëve qytetari mjafton ta posedojë vetëm njërin dhe do të vlejë si dëshmi për ta marrë shtetësinë.