Parlamenti Evropian kërkon hapjen e arkivave të ish-Jugosllavisë – “Të ç’rrënjosen lidhjet e politikës me krimin”

Parlamenti Evropian kërkon hapjen e arkivave të ish-Jugosllavisë – “Të ç’rrënjosen lidhjet e politikës me krimin”

Mbrëmjen e së mërkurës, më 15 dhjetor, deputetët e Parlamentit Evropian votuan raportin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.

Me dokumentin e miratuar, deputet evropianë i bënë thirrje vendeve të rajonit që rrisin konsiderueshëm përpjekjet e tyre për reforma në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

531 deputetë votuan pro këtij, raporti, 48 ishin kundër, dhe 117 abstenuan, raporton “Radio Evropa e Lirë”.

Raporti i miratuar pohon se vendet e Ballkanit Perëndimor janë “vende të origjinës, destinacionit, dhe tranzitit për trafikim me qenie njerëzore, dhe shërbejnë so korridor tranzit për migrantët dhe refugjatët, si dhe si lokacion për shpërlarje parash dhe trafikim armësh”.

Në dokument thuhet, ndër të tjera, se “të vetëdijshëm për raportet dhe pretendimet për lidhje ndërmjet figurave të larta politike dhe grupeve të krimit të organizuar, eurodeputetët theksojnë nevojën për të çrrënjosur lidhjet politike dhe administrative me krimin e organizuar përmes mbrojtjes së qartë kundër korrupsionit dhe kriminalitetit efektiv, drejtësisë,  ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit të profilit të lartë”.

Lidhjet e para shpërbërjes së Jugosllavisë

Dokumenti gjithashtu u bën thirrje vendeve të rajonit të hapin arkivat e ish-Jugosllavisë.

Lidhjet ndërmjet krimit të organizuar, politikës dhe biznesit kanë ekzistuar që nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe kanë vazhduar që nga konflikti i fundit i viteve 1990, me deputetët që dënojnë mungesën e dukshme të vullnetit të rajonit për të hapur arkivat e ish-Jugosllavisë dhe për t’i kthyer dosjet qeverive nëse dëshirojnë. “, thuhet në dokument.

Nevoja që Ballkani Perëndimor të bashkëpunojë dhe të ndajë informata me shtetet anëtare dhe partnerët ndërkombëtar, gjithashtu është e theksuar në dokument.

Autori i dokumentit, eurodeputeti Lukas Mandl, pas miratimit të këtij raporti tha se krimi i organizuar dëmton besimin e qytetarëve në institucionet e tyre publike dhe në njëri-tjetrin.

“Prandaj është një pengesë e madhe për përpjekjet e shoqërive në Ballkanin Perëndimor për të zhvilluar vendet dhe ekonomitë e tyre. Bashkimi Evropian (BE) nuk duhet të përdorë krimin e organizuar si justifikim për të vonuar procesin e zgjerimit, por duhet të qëndrojë pranë popullit të Ballkanit Perëndimor në luftën e tyre kundër krimit të organizuar”, tha Mandl.

Arkivi i Jugosllavisë në Beograd, Serbi, ruan arkivat e krijuara nga organet dhe organizatat shtetërore të Jugosllavisë nga viti 1918 deri në vitin 2006.

Aktualisht ekziston si institucion kulturor, muze dhe bibliotekë.

Me raportin e miratuar, eurodeputetët theksojnë se lufta kundër krimit të organizuar dhe integrimi në BE janë procese që përforcohen reciprokisht, duke i bërë thirrje BE-së që të përshpejtojë procesin integrues.

Në këtë kontekst, pasi izolimi inkurajon veprimtarinë kriminale, eurodeputetët gjithashtu i bëjnë thirrje Këshillit që të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën pa vonesa të mëtejshme.

Faktorët kryesorë që i bëjnë shoqëritë e Ballkanit Perëndimor të prekshme, sipas raportit, janë mungesa e mundësive për punësim, korrupsioni, dezinformimi, elementët e kapjes së shtetit, pabarazia dhe ndërhyrja e huaj nga regjimet jodemokratike si Rusia dhe Kina.

Prandaj, sipas eurodeputetëve, BE duhet t’i mbështesë këto përpjekje nëpërmjet ndihmës financiare dhe bashkëpunimit praktik. / Gazeta Enigma.

Related Articles