Për rreth dy orë ka dëshmuar para trupit gjykues dëshmitari i radhës për vrasjen e ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Duke mos dhënë shumë detaje dhe duke mos përmendur emra rreth udhëheqësve të grupeve kriminale, ai tha se vazhdon të ndihet i pasigurt në pjesën veriore të Kosovës. Edhe në këtë seancë u përmend grupi i Veselinoviqit, derisa gjyqtari Valon Kurtaj i paralajmëroi mediat për pasojat që do të kenë nëse publikohet në tërësi deklarata e dëshmitarit.
Sanksionet e vendosura nga SHBA-ja për grupin e Veselinoviqit u përmendën edhe në seancën e radhës për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Ç.I. ka dëshmuar këtë të enjte para trupit gjykues, në lidhje me raportet e tij me Ivanoviqin. Duke mos dhënë shumë detaje e mos përmendur emra për shkak të sigurisë së tij, ai tha vetëm se në pjesën veriore ka pasur grupe kriminale.
E shtoi se SHBA-ja ka folur më së miri sa u përket grupeve kriminale në pjesën veriore të Kosovës.
Dëshmia gati 2-orëshe e këtij dëshmitari është ndaluar të publikohet në tërësi nga gjyqtari Valon Kurtaj, i cili një vendim të tillë e kishte marrë në seancat e mëparshme, me arsyetimin që të mos dëmtohet procesi gjyqësor.
Por Kurtaj ishte më i ashpër me mediat këtë të enjte, duke i paralajmëruar se do t’u drejtohet organeve përgjegjëse për mbikëqyrjen e tyre, në rast të publikimit të plotë të deklaratës së dëshmitarit.
Pas seancës, avokatët e të akuzuarve vlerësuan se ngadalë, siç thanë, po vërtetohet pafajësia e klientëve të tyre.
Avokati i Rade Basarës, Tomë Gashi, tha se kryerësit e kësaj vrasjeje janë diku tjetër, dhe se dëshmitari ka treguar që grupet kriminale kanë qenë të udhëhequra nga Milan Radojçiqi.
“Mendoj që rasti i vrasjes së Oliver Ivanoviqit tani ngadalë po zgjidhet në kuptimin se ne besojmë që kryesit e kësaj vrasje janë diku tjetër dhe e besoj se e gjithë kjo ka ndodhë për shkak të konotacioneve politike dhe besojmë që kjo vepër është kryer nga influenca e madhe e pushtetit të Serbisë, dhe ndoshta edhe nga zyrtarët më të lartë të Serbisë”, ka thënë ai.
“Klientja ime nuk është përmendur në raportin e fundit që ndërlidhet me sanksionet e ShBA-së dhe Silvana Arsoviq nuk do të përmendet asnjëherë në raportet e tilla”, ka deklaruar Musa Damati, avokat i Silvana Arsoviqit.
“Konsideroj se edhe me këtë dëshmi nuk është zbardh diçka në raport me dyshimet të cilat i vijnë në barrë klientin tim. Pavarësisht faktit e shihet se ky dëshmitar i ka dërguar fotografitë e veturës së të akuzuarit dhe është një ndër provat që klienti im mbahet në paraburgim”, ka thënë Mahmut Halimi, avokat i Marko Roshiqit.
Seancat e radhës për vrasjen e ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq, do të vazhdojnë vitin e ardhshëm, ku pritet të dëshmojnë edhe disa dëshmitarë të tjerë.
Për rastin e vrasjes së ish-politikanit Ivanoviq deri më tani po akuzohen gjashtë persona, ndërsa të përfshirë në këtë rast, sipas Prokurorisë, janë së paku edhe pesë persona të tjerë të dyshuar.
Ivanoviqi ishte vrarë më 16 janar të 2018-s, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut./Gazeta “Enigma”/