Sekretari i Britanisë për Brexit-in, David Frost, ka dhënë dorëheqje të shtunën nga qeveria e Boris Johnson-it, transmeton AA.
Frost tha në një letër drejtuar Johnson-it se ai drejtoi procesin e daljes së Britanisë nga BE-ja për dy vjet e gjysmë, duke vënë në dukje se që të dy rivendosën lirinë dhe pavarësinë e Britanisë si vend dhe filluan procesin e vendosjes së marrëdhënieve të reja me BE-në.
Por ai potencoi një rrjedhje informacioni në media të vendimit të tij për largim nga posti përpara se një gjë e tillë të bëhej në janar.
“Është zhgënjyese që ky plan është bërë publik mbrëmë dhe në rrethana të tilla mendoj se është e drejtë që unë të largohem menjëherë”, tha ai.
Frost tha se “Brexit tani është i sigurt”, por “sfida për qeverinë tani është të ofrojë mundësitë që i jep” Britanisë.
Ai kritikoi drejtimin e politikave të qeverisë në lidhje me pandeminë e koronavirusit dhe shprehu keqardhje për hapat që u ndërmorën në korrik për të rihapur ekonominë që nuk ishin “të pakthyeshme”.
Dorëheqja e Frost-it erdhi në një kohë kur Johnson është i bllokuar politikisht.
Partia Konservatore, e udhëhequr nga Johnson, 98 deputetët e së cilës votuan kundër rregullores në lidhje me pasaportën e vaksinimit, humbi gjithashtu në zgjedhjet e pjesshme në North Shropshire më 16 dhjetor.