Mjekët në një spital të Hyderabad në Indi, kanë njoftuar se kanë hequr një rekord prej 156 gurësh nga veshkat e një pacient 50-vjeçar.
Mjekët përdorën laparoskopinë dhe endoskopinë, në vend që të bënin një operacion të madh.
Pacienti, i cili raportohet se tani është i shëndetshëm dhe i është kthyer rutinës së tij të rregullt, ishte nga Hubli dhe ishte shtruar në spitalin e Urologjisë dhe Veshkave Preeti.
Pacienti, Basavaraj Madiwalar, me profesion mësues shkolle, pati dhimbje të papritura pranë barkut dhe ekzaminimi tregoi praninë e një grupi të madh gurësh në veshka, shkruan Ndtv, përcjell Gazeta Enigma.
Mjekët thanë se pacienti ishte gjithashtu një rast me veshkë ektopike, pasi ndodhej afër barkut në vend të pozicionit normal në traktin urinar.
“Megjithëse prania e veshkës në një vend jonormal nuk është shkaku i problemit, heqja e gurëve nga veshka e vendosur në mënyrë jonormale ishte me siguri një detyrë sfiduese”, thuhet në një deklaratë nga spitali.
“Ky pacient mund të ketë zhvilluar këto gurë për më shumë se dy vjet, por kurrë nuk ka përjetuar asnjë simptomë në të kaluarën. Megjithatë, një shfaqje e papritur dhimbjeje e detyroi atë t’i nënshtrohej të gjitha testeve të nevojshme që zbuluan praninë e një grupi të madh gurësh në veshka,” tha Dr. V Chandra Mohan, Urolog dhe Drejtor Menaxhues i spitalit.
Ky është numri më i lartë i gurëve të hequr nga një pacient i vetëm në Indi duke përdorur këtë procedurë që zgjati rreth tre orë./Gazeta Enigma/