Milani dhe Interi zbulojnë planet e reja të stadiumit super modern – “Katedralja”

Milani dhe Interi zbulojnë planet e reja të stadiumit super modern – “Katedralja”

Gjigantët italianë, Milani dhe Interi kanë shpalosur planet për një stadium të ri më të avancuar për të zëvendësuar stadiumin ikonik, “San Siro”.

I quajtur “Katedralja”, stadiumi me 60,000 vende do të zëvendësojë Stadio Giuseppe Meazza, i njohur më mirë si San Siro, i cili ka qenë shtëpia e Milanit që nga viti 1926 dhe Interit që nga viti 1947.

Stadiumi i ri, i cili do të hapet në vitin 2027, është projektuar nga arkitektët Populous, të cilët gjithashtu ndihmuan në projektimin e Wembleyt të ri.

Frymëzimi pas dizajnit të stadiumit janë dy nga ndërtesat më të famshme të Milanos, Duomo di Milano dhe Galleria Vittorio Emanuele.


Stadiumi ka një formë drejtkëndëshe dhe do të rrethohet me pendë vertikale, të cilat do të shtrihen nga jashtë për të mbështetur një mur xhami që do të mbyllë një hapësirë ​​të përshkruar si një “galeri e ndriçuar nga dielli”.

Ndërkohë, ulëset e stadiumit janë projektuar për të qenë “më komode në Evropë” me tifozë të ulur sa më afër fushës.

Sipas planeve, të cilat janë vendosur të finalizohen vitin e ardhshëm, stadiumi i ri do të ndërtohet krahas San Siros ekzistues, i cili më pas do të prishet si pjesë e një rizhvillimi të zonës më të gjerë.

“San Siro i ri do të jetë stadiumi më i bukur në botë për identitetin dhe njohjen e tij të fortë”, deklaroi presidenti i Milanit, Paolo Scaroni.

“Një arenë tërheqëse, e aksesueshme dhe e qëndrueshme për qytetin e Milanos që do të lehtësojë rritjen e klubeve dhe konkurrencën e tyre globale”.

Alessandro Antonello, drejtori gjeneral i korporatës së Interit, shtoi: “Stadiumi i ri i Milanos do të jetë në një zonë të gjelbër ekstra bashkëkohore që mund të qëndrojë gjatë gjithë vitit”.

“Distrikti i ri për sportin dhe kohën e lirë dhe parku i tij prej 50,000 m2 do ta bëjnë San Siro lagjen e preferuar për sport dhe argëtim”.

Vendimi për të prishur San Siro ka ndarë opinionin në Itali, por drejtori ekzekutiv i Milanit, Ivan Gazidis thotë se është një hap i domosdoshëm.

“I kuptoj dyshimet, sepse San Siro është një vend i veçantë, por është e nevojshme të kemi guxim”, potencoi Gazidis për faqen e klubit.

“Ndjenjat ekzistojnë dhe nuk mund të vihen në dyshim. Kujtimet e San Siros do të jenë aty përgjithmonë, askush nuk do të mund t’i fshijë, është e pamundur”.

“Çdo ligë në botë që ka qenë e suksesshme e ka bërë këtë duke ndërtuar stadiume të reja, me një përvojë të jashtëzakonshme dhe gjithëpërfshirëse për tifozët”.

“Ne kemi gjithçka që nevojitet: futbollin, njerëzit, tifozët. Unë shoh një të ardhme të shkëlqyer, ju vetëm duhet të keni guxim”.

“Krijimi i stadiumeve të reja është një hap themelor nëse duam të jemi sërish në krye të botës së futbollit”, ka shtuar më tej ai.

Related Articles