Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se Albin Kurti është një fanatik ideologjik.
“Nëse Albin Kurti interesohet vërtet për vende të reja pune, cilësinë e jetës dhe perspektivën për të rinjtë, atëherë dialogu me Beogradin duhet të jetë prioritet. Ai mendon në kokën e tij se kjo është një punë e kryer dhe se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, ai është një fanatik ideologjik”, ka thënë ajo për mediumin “Jedinstvo”, transmeton Gazeta ‘Enigma’.
Bërnabiq thotë se kjo është ajo që e frikëson më së shumti sepse, sipas saj, kjo nuk sjell asgjë të mirë as për shqiptarët as për serbët në Kosovë dhe as për rajonin.
Kryeministrja serbe ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet t’i bëjë presion Prishtinës zyrtare që të kthehet në tryezën e bisedimeve.
Ajo insiston se nuk mund të negociohet për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë pa u zbatuar Marrëveshja e Brukselit.
“Nëse flasim për marrëveshjen e Brukselit ajo duhet të realizohet. Unë nuk shoh alternativë tjetër. Nëse duam të negociojmë një marrëveshje tjetër për normalizim fillimisht duhet ta zbatojmë të parën”, theksoi ajo.
“Nuk e shoh fare si opsion që të kthehemi në periudhën para vitit 2013, të anulojmë të gjitha marrëveshjet dhe gjithçka që kemi përmbushur, ku Prishtina nuk ka zbatuar asgjë, dhe të negociojmë një marrëveshje të re”.
Bërnabiq insiston po ashtu se Prishtina duhet ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe “sipas marrëveshjes ndërkombëtare garantuese e së cilës është BE-ja”./Gazeta Enigma/