Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Gjilan.
Rasti ka ndodhur ndaj të pandehurit T.S., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe të pandehurit A.R., për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se, gjatë muajit prill dhe maj 2020, në komunën e Novobërdës, i pandehuri T.S., në pozitën e drejtorit të shëndetësisë në komunën e Novobërdës, ka keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, në atë mënyrë që me qëllim të përfitimit material, me dashje ka përpiluar raporte me përmbajtje të pa saktë të pranimit të mallrave – barnave, kinse nga kompania “AWA sh.p.k”, me seli në Prishtinë, të cilat raporte pastaj i ka dorëzuar në Drejtorinë e financave komunale në Novobërdë dhe pagesa iu është bërë kësaj kompanie, ndërsa Qendrat e Mjekësisë Familjare në komunën e Novobërdës nuk janë furnizuar me barna sipas raporteve të përpiluara nga i njëjti.
Ndërsa, i pandehuri A.R., dyshohet se ka falsifikuar dokumente, ashtu që si pronar i kompanisë së lartcekur, ka përpiluar fatura me përmbajtje të pa saktë, kinse për furnizim me barna në QKMF-të në komunën e Novobërdës.
Të pandehurit me urdhër të prokurorit të shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh. /Gazeta Enigma/