Zyra për komunikim e kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha, kanë thënë se “Qeveria aktuale e Republikës së Sllovenisë asnjëherë nuk ka diskutuar të ashtuquajturën “non-paper’ që ju keni përmendur në raportimet tuaja gjatë ditëve të fundit”.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe as ndonjë ministri tjetër e Qeverisë aktuale të Republikës së Sllovenisë nuk është përfshirë në ndonjë aktivitet të tillë. Sllovenia, së bashku me palët e tjera të interesit në rajon, në Bashkimin Evropian dhe më gjerë, po bën çdo përpjekje për të përshpejtuar integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në integrimet Euro-Atlantike, dhe duke bërë këtë, është e bindur se asnjë hap në këtë drejtim nuk duhet të rrezikojë paqen dhe bashkëjetesën në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi”, tha Jansha për Albanian Post.
Zyra për media e ekzekutivit slloven po ashtu e mohon se në zyrën e kryeministrit Jansha është përgatitur plani për ridefinimin e kufijve në Ballkan, siç ka pretenduar kleriku boshnjak Mustafa Çeriq, në letrën e tij drejtuar ish-Presidentit të Sllovenisë, Milan Kuçan.
“As Qeveria dhe as ndonjë organ qeveritar nuk e ka konsideruar, përgatitur ose diskutuar ndonjë raport nga viti 2011, siç thuhet nga Mustafa Ceriq në letrën drejtuar ish-Presidentit Milan Kuçan, ose pretendimi për “non-paper” që i referohet asaj, dhe as nuk është marrë në ndonjë kontekst tjetër me shpërbërjen e Bosnjë dhe Hercegovinës referuar këtij dokumenti të pretenduar”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zyrës së kryeministrit slloven Jansha.