Ish-futbollisti kosovar Abedin Hazrollaj rrëfen vuajtjet që ka kaluar burgjeve në kohën e Serbisë

Ish-futbollisti kosovar Abedin Hazrollaj rrëfen vuajtjet që ka kaluar burgjeve në kohën e Serbisë

Regjimi i dhunshëm serb ua kishte vështirësuar jetën shqiptarëve në çdo aspekt, por edhe atyre që pasion e kishin sportin, sidomos futbollin.

Futbollistët, drejtuesit e klubeve dhe të federatës ishin përballur me vështirësi vazhdimisht, por që pasioni i tyre i madh për futbollin dhe pavarësimin e tij, bëri që ata të mos dorëzohen edhe aq lehtë.

Se sa e vështirë ka qenë zhvillimi i një karriere si futbollist e tregon Abedin Hazrollaj, ish-futbollisti lipjanas i cili u përball me sfida të shumta, madje për t’ia ndalur synimet e mëdha në jetë, edhe ishte burgosur nga regjimi i atëhershëm për “arsye banale”.

Hazrollaj e kishte nisur karrierën si futbollist në moshë të re, derisa fillimisht u paraqit te klubi nga Magurja, Rudari, aty ku luajti për plotë pesë vite.

Në vitin 1981, për shkak të “veprimtarisë armiqësore” dhe pikëpamjeve të ndryshme, Hazrollaj u dënua me gjashtë vite burg, por që i mbajti vetëm katër e gjysmë pasi dënimi iu zbrit nga shkalla e dytë, e ku më pas luajti edhe te klubi nga Janjeva, Metallac nga viti 1986 deri në vitin 1989.

Përpos futbollit, ai ishte edhe student në Fakultetin Teknik në Universitetin e Prishtinës, por që burgosja e tij ia vështirësoi shumë punët në këtë drejtim.

“Kemi filluar në vitin 1976, ndërsa ndeshjen e parë për skuadrën e parë të KF Rudarit nga Magura e kemi luajtur po atë vit dhe kemi qenë aktiv deri në prill të vitit 1981, ku më pas u ndërpren të gjitha garat sportive për shkak të demostratave. Më vonë, saktësisht më 20 korrik 1981, arrestohem dhe dënohem me gjashtë vite burg për veprimtari ‘armiqësore’ nga neni 133.1, pika 1 e Ligjit Penal të RSFJ-së”, e nis rrëfimin e tij Abedin Hazrollaj.

Se sa kohë e rënde ishte për shqiptarët ajo kohë e zbulon Hazrollaj, i cili rrëfehet për dënimet e jashtëzakonshme që morën shqiptarët, madje edhe të miturit.

“Ka qenë kohë e rëndë për gjithë shqiptarët në RSFJ. Atë botë, u ngritën të gjithë duke dhënë etiketime e duke kërkuar dënime sa më të ashpëra për të frikësuar të tjerët. Në vitin 81-82, janë shqiptuar mbi 25 mijë vite burgim, duke mos kursyer as fëmijët e mitur, siç është rasti me motrën time atë kohë si 14-vjeçare, ku dënohet me 15 ditë burg dhe përjashtohet nga shkolla fillore. Për të rrëfyer vështirësitë e
burgjeve nëpër të cilat kemi kaluar, është histori në vete për mua dhe për çdo të burgosur tjetër shqiptar. Ne kemi gatishmëri për të rrëfyer për atë periudhë, trajtimi i veçantë ka qenë për të gjithë të dënuarit politikë. Atë që e kemi përjetuar, po ua rrëfejmë sot dhe mund të ndodhë që dikush të mos e besojë”, theksoi 62-vjeçari.

Pas kithmit nga burgu, ai donte t’i vazhdonte studimet në Universitetin e Prishtinës, por një gjë e tillë ishte e pamundur.

“Kam qenë edhe student në Fakultetin Teknik dhe pasi që u ktheva nga burgu, shkova te zyrtari i fakultetit dhe i thashë se jam ardhur ta shikoj mundësinë e vazhdimit të studimeve. Më pyeti sa kohë është bërë që prej se ke ndërprerë studimet, i tregoj që kanë kaluar pesë vite dhe se kam qenë në burg. E shtyu karrigen mbrapa dhe më tha se mund ta pranoj kërkesën time, por që nëse do të ndodhte kjo, atëherë ai do të përjashtohej nga puna. E hapi dollapin dhe mori një letër ku ishin 52 emrat e të dënuarve që nuk mund ta gëzojnë të drejtën për të qenëpjesë e UP-së, ndër ta emri im ishte i dyti”, u shpreh ish-futbollisti lipjanas.

Shumë vite prej pavarësimit të futbollit dhe pavarësisë së Kosovës, Hazrollaj sot drejton me sukses shkollën e futbollit “Minatori” në Magurë, derisa tregon se kërkohet më shumë mbështetje nga shtëpia më e madhe e futbollit kosovar, Federata e Futbollit e Kosovës.

“Nga viti 2016, jam themelues dhe drejtor i shkollës së futbollit ‘Minatori’ në Magurë. Problemi i madh është infrastruktura, e cila mungon edhe nëpër shumë vende të Kosovës. Mbështetjet nga FFK-ja janë të kohë pas kohëshme dhe nuk përmbushin nevojat që kemi ne, dhe për shkollat tjera në vend. Për t’i realizuar synimet tona me të rinjtë, na duhet ndihma nga FFK-ja”, tregoi ai.

Për fund, Hazrollaj ka folur për dallimet mes futbollit kosovar sot dhe të viteve të 80-ta, derisa thotë se kemi një të ardhme të ndritur.

“Dallimi i futbollit të viteve të 80-ta dhe atij sot është shumë i madh. Ka shkolla futbolli si dhe skuadra, ku rezultati është në plan të dytë, por që duhet të punohet në filozofinë e futbollit, përgatitjen fizike, taktike dhe kondicionale ashtu siç punohet në shumë shtete evropiane. Futbolli kosovar ka një të ardhme të ndritur, nëse kemi parasysh rrethanat nëpër të cilat kemi kaluar, gjendja jo e mirë infrastrukturore, ndoshta ka qenë mundësia të punohet më shumë. Jam optimist dhe besoj se shumë shpejt, Kosova do të jetë gozhdë e fortë për kundërshtarët”, ka përfunduar ai./Gazeta Eenigma/

Related Articles