Sporti i çifteve – martesa “që solli” 17 trofe

Sporti i çifteve – martesa “që solli” 17 trofe

Volejbolli në Kosovë mund të quhet edhe sport i çifteve. Janë disa raste ku volejbolli bëri që vajza e djem sot të jenë bashkëshortë.

Trajneri i Dritës, Lorik Ilazi, është i martuar me volejbollisten Adelajda Prenga.

Ilazi është nga Gjilani, kurse Prenga nga Rrësheni i Shqipërisë. Lidhja e tyre ka nisur në një turne të volejbollit në Maqedoninë e Veriut, para më shumë se dhjetë vjetësh.

“Ne jemi parë në shumë turne të volejbollit, por do ta veçoja një turne në Maqedoninë e Veriut, ku Adelajda ishte duke u paraqitur në ‘beach-volley’ dhe nga aty ne filluam të dashuroheshim. Aty filloi lidhja jonë dhe tani së bashku e kemi të kaluar një dekadë dhe këtë lidhje e kemi finalizuar edhe me martesë dhe shpresojmë që kjo të vazhdojë me po këtë lumturi dhe dashuri që e kemi për njëri-tjetrin”, ka thënë Ilazi.

Adelajda e kishte pasur të vështirë që t’iu tregojë prindërve. Për këtë pjesë ishin kujdesur motrat e saj, Amarilda dhe Arijola.

“E kisha shumë të vështirë të flisja për këtë pjesë, sa edhe të lehtë, duke qenë se edhe e njihnin Lorikun prindërit e mi. Në fakt, ka qenë diçka që unë nuk doja ta thosha dhe të nxitoja në këtë lidhje, por motrat e mia e kanë zbuluar përmes rrjeteve sociale dhe komunikimeve me Lorikun. Nuk kanë hezituar fare duke e ndarë edhe me prindërit e mi. Pastaj ka qenë shumë natyrshëm, ka ndodhur gjithçka shumë thjesht, shumë bukur. Prindërit e mi ishin të lumtur që Loriku ishte djali me të cilin flisja. Unë me Lorikun jam lidhur në kohën sa nuk kam qenë pjesë e Dritës”, tha Prenga.

Lidhja ka nisur kur Adelajda luante në Shqipëri dhe nuk ishte ende lojtare e trajnerit Ilazi. Lidhjen e tyre nuk e ka penguar feja. Prenga i takon besimit katolik, kurse Ilazi është mysliman.

“Është fat që unë kam të dy baxhanakët myslimanë, po e them ashtu në shaka. Për neve feja nuk ka qenë asnjëherë problem i bashkëjetesës apo i familjes. Ne mbi të gjitha jemi shqiptarë dhe unë e them se feja e shqiptarit është shqiptaria. Ne i festojmë të gjitha festat së bashku. Ndoshta për Adelajdën ka mundur të jetë më e vështirë, pasi në Kosovë çështja e festë është shikuar më ndryshe, kurse në Shqipëri nuk është ndonjë problem”, u shpreh Ilazi.

“Unë vij nga një familje katolike, por jo të dhënë shumë pas fesë mund të them. I respektoj të gjitha fetë. Për ne nuk ka qenë asnjë problem. Të tri motrat i kemi bashkëshortët myslimanë. Te familja ime e as te e Lorikut nuk e kam ndier këtë gjë. I festojmë të gjitha festat”, tregon Adelajda.

Sukseset e Lorikut si trajner erdhën vetëm pas ardhjes së Adelajdës te Drita. Ilazi e pranon se ia ka pa hairin gruas, por edhe dy motrave të saj, Amarildës dhe Arjolës, të cilat erdhën te Drita dhe e ndihmuan të shpallej kampione. Burrë e grua së bashku kanë fituar 17 trofe për dhjetë vjet.

“Është normal që unë ia kam pa hairin nuses, sikurse nusja mua. Ne jemi tani një familje, funksionojmë si një familje, sepse motrat e Adelajdes unë i shoh si motrat e mia, sepse ashtu është krijuar lidhja jonë. Dhe të gjitha sukseset ne i kemi arritur duke funksionuar si një familje, duke mos harruar të gjitha vajzat që kanë dhënë kontribut në sukseset e Dritës. Ardhja e tyre në skuadër ka qenë ndihmë e padiskutueshme ku i kemi fituar të gjithë trofetë. Janë familje sportistësh. Mami i tyre ka qenë volejbolliste, kurse babi çdoherë ka qenë afër tyre”, thekson Lorik Ilazi.

Për Adelajdën viti kur ka luajtur së bashku me motrat te Drita dhe trajner e ka pasur bashkëshortin ka qenë më i miri në karrierë.

“Ka qenë viti më i bukur mund të them i gjithë karrierës time. Për mua është shumë emocion, shumë kënaqësi, është shumë dëshirë, është gjithçka që të stërvitem dhe të luaj përkrah Amarildës dhe Arjolës. Realisht jo vetëm që janë motrat e mia, por është një emocion i veçantë dhe është një nder të luash me ato”.

Tensionet dhe debatet që nisin në fushë, Adelajda dhe Loriku thonë se i bartin shpeshherë edhe në shtëpi.

Adelajda nuk e ka trajner vetëm te Drita bashkëshortin Ilazi. Trajner e ka edhe te Përfaqësuesja e Kosovës.

bashkëshorti e ka zgjedhur edhe kapitene të Kosovës. Adelajda e ka lënë Shqipërinë për të veshur fanellën e Kosovës.

“Secili që së paku dy ditë punon me ne, e sheh që ne këtë çështje e kemi anë profesionale. Adelajda është edhe kapitene e Kosovës në garat e fundit. Këtë jo që ne kemi dashur ta zgjedhim, por këtë e kishte me meritë. Këtë vit e meritonte dhe ne e zgjodhëm. Është e drejtë e trajnerit dhe unë e zgjodha për meritë, jo që është gruaja ime. Unë shpesh nuk e fus titullare dhe asnjëherë nuk e përkrah si bashkëshorte. Në fushë nuk e njoh si bashkëshorte”, deklaroi Lorik Ilazi.

“Nuk është që unë e kam pa meritë vendin në Përfaqësuesen e Kosovës dhe mund të flasin që e ka marrë bashkëshorten apo diçka. Të paktën këtë unë nuk e kam ndier te gocat e Kosovës. Ka qenë fat i madh që e kemi ndërtuar një grup të mirë, të paktën në këtë vitin e fundit. Kush na njeh e di që ne jemi profesionistë”, thotë Adelajda.

Ilazi – Prenga nuk është çifti i vetëm në volejbollin kosovar. Lidhjet kryesisht janë volejbolliste – trajner apo volejbolliste – drejtues klubi.

Të martuar janë edhe trajneri i Skënderajt, Ylli Kadriu me volejbollisten Egzona Geci. Kryetari i klubit Feronikeli, Abedin Mehani, ka zyrtarizuar lidhjen me volejbollisten Liridona Kurrumeli.

Të fejuar janë volejbollisti e trajneri Arbon Osmani me volejbollisten Bleona Kadriu. Volejbolli i ka bashkuar edhe njërin ndër volejbollistët më të suksesshëm shqiptarë Gazmend Husajn me Doruntina Thaçin, si dhe Bardhyl Hajdarajn me Blerta Hysenin.

Related Articles