Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka udhëtuar për në Bruksel ku do të takohet me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropain për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Mediat serbe, duke u thirrur në burime diplomatike nga selia e BE-së thonë se me presidentin serb në Bruksel do të bisedohet për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ndërsa, të hënën, presidenti i Serbisë do të pritet nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe pas kësaj, Vuçiq është planifikuar të takohet me Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Një takim tjetër i presidentit serb është planifikuar me Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Shefin e Diplomacisë së BE, Josep Borrell, i cili do të organizojë një drekë pune me rastin e vizitës së Presidentit Vuçiq.