Pjesëtari i grupit të Kumanovës, Rufki Dogani, ka thënë se nuk është në dijeni se ku shkojnë paratë të cilat mblidhen për ta, nga komandant Malisheva, Muhamet Krasniqi.
Ai thotë se ka marrë vetëm 350 euro dhe 1800 Franga nga paratë e mbledhura të emër të grupit Kumanova.
“Unë, Rufki Dogani, pjesëtar i grupit të Kumanovës, nga fondi që e kanë pas Komandant Malisheva, Muhamet Krasniqi nga ky fond unë i kam marrë vetëm 350 Euro dhe 1800 Frang dhe unë më nuk kam marr para nga ky fond qe 2 vite e gjysmë dhe nuk kam dijeni ka po shkojnë parat që mblidhen për neve nga ky fond, ku po i dërgon Komandat Malisheva ato para që mblidhe në emër të grupit Kumanova”, ka shkruar ai.
Në një video, komandant Malisheva tregon se si janë mbledhur parat, duke theksuar se 10 mijë euro i ka nxjerr nga xhepi i tij. Ai thotë se nuk ka pasur hezitim nga biznesmenët që të ndihmojnë grupin Kumanova, pasi kanë pasur besim të madh në të.
“Investimet për herën e fundit qitu n’Kumanovë 10.000 i kam nxjerrë prej vetës, se kom pas shumë s’e kisha problem. Kur e kom thirr një biznesmen i kom thanë, thashë po na duhen uniformat, 500 parë uniforma m’i pagua. Tha sa duhet, thashë 40.000 euro. M’i ka pru ka 500-she krejt”.
Krasniqi thotë se janë mbledhur 51 mijë dollarë për Grupin nga donatorët.
“Një tjetër veç e thirrsha në telefon, thojsha po na duhet përkrahja, kur vishin me zarfa kanë ardhë. Veç e shkrujsha emrin kush sa ka dhanë. A po m’kupton, qaq besim që kanë pas n’mu. Unë po t’premtoj, qe sonte dëshmitar zotin e kom. 1000 prej vetes edhe 50.000 dollarë i ki gifta prej unë çka t’i thirri prej nesër si t’çohna n’mengjes e ashtu 50.000 dollarë i ki gifta. 51.000 me t’mijat. Qeshtu v’lla veç ta mujmë arabin e turkin, e sllavin e Rusinë e t’jau kajm nanën e Greqinë e qita t’i mujm’. Bahemi bashkë grusht. Qeshtu v’lla”, thotë ai në video.
Në një deklaratë për emision “Expose”, ai thotë se qëllimi i tyre ka qenë kombëtarë pa prapavija politike, mirëpo janë tradhtuar e mashtruar nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Për këtë, Krasniqi pretendon se ka informacione edhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.
“Asaj që ka ndodhë, e jemi arrestua kom pas kohë me mendua edhe me debatu edhe me shokë se ku ka qenë qëllimi se kështu po del se dikush na ka fut neve këtë farë kurthe”.
“E për mu qartësua këto sene i din Shërbimi i Inteligjencës t’Kosovës. D.m.th. AKI-ja shërbimet e këtij veni, këto dyja e dinë. Ka edhe dikush prej politikanëve e dinë që përmes këtyne strukturave t’shërbimeve e kanë ba këtë far projekti me na fut n’atë kurthe për qëllime tyne jo për qëllime nashta kombëtare, por për qëllime politike”, tha ai.
Në vitin 2017, Gjykata Themelore e Shkupit ka dënuar me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e grupit të Kumanovës, të akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015.
Për veprën terrorizëm ishin akuzuar gjithsej 37 persona, prej të cilëve 7 me burg të përjetshëm. Të dënuarit me burgim të përjetshëm janë: Andi Krasniqi, Dem Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Bek Bajra dhe Fejzulla Rushitovski.
Trembëdhjetë janë dënuar me nga 40 vjet burg: Esat Kafegjolli, Adrian Bujari, Shefqet Hallaqi, Betim Kabashi, Genti Sefaj, Enver Hoxha-Klajn, Rufki Dogani, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari dhe Fatmir Recica.
Përderisa 6 prej 37 të akuzuarve janë dënuar me nga 20 vjet burg.
Të dënuarit me nga 20 vjet burg janë: Fadil Elshani, Lirim Demiri, Hajrush Abdija, Lendrit Rustemaj, Mirsad Qerimi dhe Qenan Hiseini.
Ndryshe, në përleshjet dyditëshe më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, janë vrarë 8 pjesëtarë të forcave policore dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.
Grupi kishte deklaruar se vendosja e tij në Kumanovë ishte bërë për shkak të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni./Gazeta Enigma/