Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e parë për këtë vit, ka miratuar raportin e Komitetit të Auditimit për vitin 2021.
Në mbledhje nuk është miratuar edhe kërkesa e Sami Kurteshi nga VV-ja që të dërgohet në Prokurori një pjesë e raportit që kishte të bënte me gjetjet për keqpërdorime me dezinfektues e dorëza gjatë zgjedhjeve.
Ai me këtë rast tha se është propozuar që raporti të shkojë në hetuesi pas konstatimit se ka pasur shkelje, ngase dezinfektuesit ishin “të prishur”.
“Ajo çka është konstatuar se ka pasur shkelje. Raporti është miratuar nga komuniteti dhe kam propozuar që ky raport të shkoj në institucione hetimore”.
“Unë kam pritur që KQZ do t’i dërgojë në hetuesi. Dhe unë do ta dërgojë në hetuesi këtë raport. Ne duhet t’i japim fund që këtu të ketë shkelje. Këtu kemi dëmtim të shëndetit” ka deklaruar Kurteshi.
Kurse kryetari i KQZ, Kreshnik Radoniqi, tha se raportet janë publike dhe se Policia e Prokuroria mund që të ato t’i kërkojnë nga ky institucion.
“Me raportuar diçka në Polici është gjeja më e lehtë. Raportet janë publike mundet me ardhur në KQZ Policia e prokuroria”.
Arianti Elshani nga PDK-ja tha se nuk janë të interesuar që të lejohen keqpërdorime, duke kërkuar që të procedohen në hetuesi.
“Asnjëri nga ne nuk dëshiron të lejoj keqpërdorime dhe të procedohet tutje në hetuesi” është shprehur Elshani.
Florian Dushi nga LDK-ja tha se janë konstatuar shkelje prandaj edhe duhet që të merren masa menjëherë, duke kërkuar që nëse është e nevojshme të drogohen edhe në hetuesi.
“…konstatuam shkelje, hajni e të gjitha. Nëse ka nevojë duhet t’i nënshtrohet edhe hetuesisë. Na e shohim që me këto tema bëhet politik dhe institucionet nuk arritur qasje të drejtë as kundër luftës së krimit dhe korrupsionit. Janë konstatuar shkelje procedurale”, ka theksuar ai.
Alim Rama nga VV-ja tha sa qytetarët janë rrezikuar nga dezinfektuesit e përdorur gjatë zgjedhjeve lokale, prandaj nëse janë konstatuar shkelje duhet që të raportohen.
“Ne kemi raport që ka konstatuar shkelje cila është procedura legjislative. Na kemi mujt me rreziku secilin qytetar përmes atyre kinse dezinfektues. Nëse jemi në dijeni për shkelje na takon t’i dërgojmë në Prokurori”.
Burim Ahmetaj, kryeshef i Sekretariatit të KQZ-së, tha se javë tjetër që të procedohet për votim buxheti dhe se raporti për zgjedhjet do të dërgohet në Kuvend në muajin prill.
Ai ka sqaruar se katër parti politike i kanë borxh KQZ-së mbi 4 milionë euro.
“Aktualisht nuk e kemi buxhetin e disponueshëm. Javën tjetër do ta dërgojmë për miratim. Jemi duke përgatitur për asgjësimin e materialit zgjedhor. Jemi duke punuar në draftimin e raportit dhe do të dërgohet në Kuvend në muajin prill”.
“Janë katër parti politike që i kanë borxh këtij institucioni për 4 milionë e 200 mijë euro. KQZ ka vendosur që 10% të transferohet te subjektet”, ka thënë Ahmetaj. /Gazeta “Enigma”/