Bashkimi Evropian thotë se ka filluar veprimet ligjore kundër AstraZeneca mbi pretendimin e shkeljes së kontratës në lidhje me shpërndarjen e vaksinës së saj të COVID-19.
“Komisioni Evropian ka filluar veprimin ligjor të premten e kaluar kundër kompanisë AstraZeneca mbi bazën e shkeljes së marrëveshjes së përparuar të blerjes”, ka thënë një zëdhënëse nga Komisioni Evropian, shkruan Euronews.
Sipas Euronews, AstraZeneca ishte zotuar të furnizonte me 180 milionë doza BE-në në tremujorin e dytë të këtij viti por është përballur me vonesa të shumta të dërgesave.
Dhe zyrtarët e BE-së kanë akuzuar kompaninë se nuk ka përmbushur zotimin e saj.
“Kompania nuk ka qenë në gjendje të dalë me një strategji të besueshme për të siguruar shpërndarjen në kohë të dozave. Ajo që ka rëndësi për ne, në këtë rast, është që ne duam të sigurohemi që të ketë një shpërndarje të shpejtë të një numri të mjaftueshëm të dozave që janë premtuar në bazë të kontratës”, vazhdoi zëdhënësja.
“Kështu që Komisioni ka filluar me të vërtetë veprime ligjore në emër të tij dhe në emër të 27 shteteve anëtare që janë plotësisht të bashkuar në mbështetjen e tyre për këtë procedurë”.
Muajin e kaluar, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen akuzoi AstraZeneca për “fatkeqësisht nën-prodhim dhe nën-shpërndarje”.
Në atë kohë, ajo tha se BE po priste të merrte 70 milionë doza vaksinash nga prodhuesi i ilaçeve, shumë më pak sesa pritej.
Si rezultat, ajo tha: “Kjo natyrisht, uli shpejtësinë e fushatës së vaksinimit”.
Masa e fundit nga BE vjen mes shqetësimeve se raste të rralla të mpiksjes së gjakut mund të lidhen me vaksinën, me një numër vendesh që ndalojnë shpërndarjen e vaksinës.