Aktualisht është në fazën e testimeve, por është e mundur që të shtunën në mbrëmje të rikthehet në funksion blloku B2 i Kosovës B.
Zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Skënder Bucolli, ka thënë se puna për rikthimin e këtij blloku ka përfunduar sipas dinamikës së paraparë, dhe se tash e gjithë puna në këtë drejtim, është në fazën e inspektimit.
“Puna ka përfunduar sipas dinamikes se paraparë dhe tash po bëhet inspektimi, tash jemi në fazën e testimeve dhe startimit. Sipas parashikimeve preliminare gjasa ka që të kthehet sonte”, ka thënë Bucolli për KOHA.net, përcjell Gazeta Enigma.
Sipas tij, nëse gjithçka shkon sipas planifikimeve, me rikthimin e Bllokut B2, Kosovës i shtohen edhe 250 megavat – orë energji elektrike.
KEK-u ka angazhuar në dhjetor të vitit të kaluar ekspertë të huaj për inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara nga avaria në turbinën e shtypjes së ultë, në Njësinë B2 të termocentralit B.
Ndërkohë, Kosova është përballur me një krizë energjetike që nga muaji dhjetor, si pasojë e rritjes së çmimit të këtij produkti, në bursat ndërkombëtare.
Qeveria e Kosovës, atë muaj ka ndarë 20 milionë euro për të subvencionuar importin e energjisë elektrike nga vendet e tjera, derisa nuk kanë munguar reduktimet e rrymës për qytetarët dhe bizneset.