Ministria e Shëndetësisë përmes një postimi në profilin e tyre në Facebook ka publikuar disa foto në lidhje me vaksinimin e grave shtatzëna dhe atyre që planifikojnë shtatzëni dhe grave gjidhënëse, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Njëherit kjo ministri ka thënë se vaksina nuk prek organet riprodhuese të femrës ose të mashkullit në asnjë mënyrë, por kjo vaksina stimulon sistemin imunitar që të prodhojë antitrupa kundër COVID-19.
Sipas MSH-së gratë shtatzëna janë ato që rrezikohen më së shumti nga ky virus.
“Gratë shtatzëna rrezikohen më shumë nga COVID-19 dhe mund të kenë pasoja të rënda si lindja e parakohshme. Studimet tregojnë se përfitimet e marrjes së vaksinës kundër COVID-19 tejkalojnë çdo rrezik të mundshëm të vaksinimit gjatë shtatzënisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Po ashtu, nga MSH kanë thënë se vaksinat janë të sigurta edhe për nënat gjidhënëse dhe se vaksina nuk transmetohet përmes qumështit të gjirit. /Gazeta Enigma/