Banorët e Komunës së Hanit të Elezit, me vite të tëra janë ballafaquar me problemin e ujit të pijshëm. Mirëpo këtë problem, pretendon se do ta zgjidhë i pari i kësaj komune, Mehmet Ballazhi.
Ai ka treguar se ky premtim, do të jetë i realizueshëm afërsisht 80 për qind në muajin qershor.
“Një premtim ose mund të them garancë, bazuar gjithmonë në investitorët dhe punëkryersit në zgjidhjen e problemit të ujit të pijes, që me bindje e them se në muajin Qershor, premtimi për ujin do të jetë diku 70-80 për qind e realizueshme”, thotë kryetari i Hanit të Elezit.
Ballazhi, gjatë intervistës tregon edhe për projektet e tij që do ti realizojë gjatë mandatit 4 vjeçar, ku prioritet pas ujit do të i japë zhvillimit ekonomik, arsimit, zhvillimit të turizmit e tjerë.
Ai thotë se Hani i Elezit, është një mrekulli në fakt, nga pozita gjeografike që ka ku mundëson të zhvillojë turizmin.
“Ky vend, asnjëherë nuk është trajtuar ashtu siç e meriton, ku ne do të bëjmë që Hani i Elezit të mos mbetet vend kalim, por të bëhet vend qëndrim, duke pasur parasysh që Hani i Elezit është porta e parë ku hyn në Kosovë. Ne, do ti japim një pasqyrë reale Hanit të Elezit, ashtu siç e meriton”, shprehet ai.
Ndër të tjerash, ai potencon frymën liberale që ka marrë komuna prej ardhjes së tij në qeverisje, duke thënë se rinia që ai ka zgjedhur të ketë pjesë të stafit të tij, është një mesazh për rininë e Hanit të Elezit, që ata mund të jenë në vendimarrje.