Profesori dhe analisti Blerim Latifi ka komentuar fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.
Sipas tij, opozita ka besuar gabimisht se rënia nga pushteti i Edi Ramës do të ndodhte pasi qëndrimi në krye të shtetit për 8 vite ishte konsumim i fuqisë politike dhe njerëzit do të votonin ndryshimin në këtë rast opozitën.
Latifi thotë se këto kalkulime ishin të gabuara.
“E gjithë shpresa e opozitës mbështetej në idenë se shqiptarët nuk mund ta durojnë në pushtet dikë më shumë se tetë vite, prandaj rënia e Ramës i dukej punë e kryer. Që nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 e deri në mbylljen e fushatës elektorale me 23 prill 2021, Rama nuk kishte pushuar për asnjë ditë të vetme. Nuk kishte lënë rrugë pa shkelur dhe fshat e qytet pa vizituar, kryq e tërthorë Shqipërisë. Dhe derisa opozita priste që tërmeti dhe pandemia ta varrosnin përfundimisht planin e tij për të mbetur në pushtet, Rama, përmes fushatës së tij totale, ia doli që tërmetin dhe pandeminë t’i kthej në storie suksesi për veten. Kjo është historia që solli rezultatin e 25 prillit” ka shkruar Latifi.