Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka folur për arrestimin e Kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj.
Mustafa ka thënë se ajo që ndodhi mbrëmë të lë përshtypje të keqe.
Ai shtoi se Molliqaj nuk është person që ikë prandaj sipas tij nuk kishte nevojë që të shkonin rreth 40 policë për ta arrestuar.
“Kjo mbrëmë që ndodhi lë përshtypje të keqe. Nëse Molliqaj ka gabuar mund të thirret në shtëpi, mund të merret në zyrë, ose në rrugë. Thanë që kanë qenë 30-40 policë, çka ka nevojë për një gjë të tillë sepse nuk është Molliqaj që ikën”, tha Mustafa për T7.
Tutje Mustafa tha se ky është një veprim totalitar. “A duhet të përgjigjet apo jo është çështje tjetër, mirëpo veprimi është totalitar dhe një lloj manifestimi i fuqisë që ka Qeveria, vijnë të rrethojnë me 50 policë. Kjo është mjaft e rëndë dhe ne duhet të ruhemi nga veprime të tilla. Askush se ka pushtetin e siguruar për 100 vjet, është 4 vjet mundet me qenë edhe 8, mirëpo nesër duhet me dalë para ligjit me u përgjigj për veprimet që i bën”, shtoi Mustafa