Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) vendimin e ZRRE-së për strukturën tarifore e ka quajtur të dëmshëm për sektorin e energjisë, dhe të ndikuar politikisht.
Përmes një komunikate për media thuhet se ky vendim është një arrnim i paqëndrueshëm i krizës aktuale.
Përmes një komunikate për media thuhet se zhvendosja e bllok tarifës nga 600 në 800 dhe mos aplikimi i shkallëzimit të tretë tarifor nuk i kontribuon aspak efiçiencës së energjisë. Për më tepër, sipas INDEP-it subvencionimi selektiv dhe jo linear vetëm sa do të rrisë konsumin energjetik në vend.
“Ky vendim nuk i ndihmon tranzicionit energjetik. Përkundrazi, e vazhdon bllokimin artificial të sektorit të energjisë në vend. Jemi gjithashtu të shqetësuar nga kjo shpërfaqje e hapur e ndikimit politik të Qeverisë në vendimin e sotëm të ZRRE-së. Vendimi i ZRRE-së bie në kundërshtim me vlerësimet e vet Rregullatorit dhe realitetin e sektorit të energjisë në vend. Në arsyetimin e vendosjes së bllok tarifës në 600 kW, vet ZRRE-ja kishte deklaruar që në fakt sasia mbi 600 kWh është sasia e energjisë që ka nevojë të importohet dhe e cila e ngarkon sistemin. Zhvendosja e bllokut në 800 kWh përjashton pothuaj të gjithë konsumatorët nga incentiva për të kursyer energjinë”, thuhet në njoftim.
Sipas INDEP-it ky vendim ngadalëson procesin e tranzicionit energjetik duke bërë që investimet në efiçiencë të energjisë dhe në burime të ripërtrishme përmes paneleve solare të jenë të pafavorshme në një treg ku çmimi i energjisë deri në 800 kWh subvencionohet.
Në reagim thuhet se ekzistimi i kufirit të bllokut tarifor deri në 600 dhe vendosja e një blloku shtesë mbi 1200 është arsyetuar mjaft mirë në Analizën dhe komentet që Instituti INDEP ka dorëzuar në ZRRE. Por, sipas tyre, kjo e fundit, ka vendosur që duke dëmtuar hapur pavarësinë dhe profesionalizmin e vet, të përkrahë opsionin e partisë udhëheqëse, duke rënë në kundërshtim me vetveten, me komentet e INDEP dhe me komentet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.
“I bëjmë thirrje Rregullatorit të pavarur të energjisë që menjëherë të rishikojë këtë vendim dhe të ofrojë zgjidhje nga prizmi profesional dhe jopolitik. Është koha e fundit që Rregullatori të shkëputet nga ndikimet politike shumëvjeçare dhe të krijojë një standard të vendimmarrjes profesionale. Duke hedhur poshtë vendimin e sotëm dhe duke ofruar zgjidhje të balancuar që tejkalon krizën në njërën anë dhe shtynë Kosovën drejt tranzicionit në anën tjetër, ZRRE ka shansin të dëshmohet si organ i pavarur dhe profesionist”, thuhet në reagimin e INDEP-it. / Gazeta Enigma.