Një person armatosur mbrëmjen e sotme ka tentuar të kryejë një grabitje në një institucion mikrofinanciar në Prishtinë, por ai ka dështuar pasi ka hasur në rezistencë fizkike të pronarit.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se “rreth orës 17:30 është raportuar për një tentim grabitje të ndodhur në një institucion mikrofinanciar në rrugën ‘Ali Vitia’ në Prishtinë .
“Policia ka dalë në vendin dhe nga hetimi preliminar është konstatuar se nuk është arritur të kryhet grabitja, ndërkaq i dyshuari në ikje e sipër ka shkrepur armën me gaz dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.
Sipas zëdhënëses Ahmeti, lëndime (gërvishje) nga kontakti fizik me të dyshuarin ka pësuar ankuesi.
“Aktualisht policia ka iniciuar një hetim lidhur me rastin dhe ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit”, ka thënë Ahmeti.