Seanca e rigjykimit në Gjykatën e Pejës, për vrasje e dy vëllezërve Burim e Rexhep Ramaj, për të cilën vrasje po akuzohen baba e bir, Sali e Durim Lushaj, ka dështuar të mbahet për shkak mungesës së këtij të fundit.
Sipas kryetares së trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, i pandehuri Durim nuk ishte prezent për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.
Përveç mungesës së të pandehurit, sipas gjykatëses, Insituti i Psikiatrisë Foreznike ende nuk e ka përfunduar superekspertizën psikitarike, edhe pse kjo ekspertizë ishte urdhëruar para 4 muajve nga Gjykata.
Instituti sipas Husaj-Rugova, e kishin njoftuar përmes telefonit se superekspertiza është në përfundim e sipër.
Në këtë seancë ishin të pranishëm mbrojtësi e të pandehurit Durim Lushaj, avokatët Gëzim Kollqaku dhe Salih Mekaj dhe mbrojtësja e viktimave, ndërsa palët tjera nuk ishin në seancë, pasi ishin njoftuar me kohë për mosmbajtjen e seancës.
Seanca e radhës u caktua me 23 mars dhe 19 prill 2022.
Ndryshe, në seancën e 22 korrikut 2021, Gjykata e Pejës ka urdhëruar të kryhet superekspertizë psikiatrike ndaj të pandehurit Durim, pasi dy ekspertizat paraprake ishin kundërthënëse nëse i akuzuari vrau apo jo në afekt viktimën.
Njëra prej ekspertizave konstatonte se Durim Lushaj kishte kryer vrasjen në afekt mendor, ndërsa tjetra përcaktonte se Lushaj në kohën e kryerjes së vrasjes nuk kishte patur afekt mendor.
Një vendim të tillë e ka marrë kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, pas propozimit të mbrojtësit të Durim Lushajt, avokatit Salih Mekaj.
Për këtë vrasje, Gjykata Themelore në Pejë, më 14 prill 2018, e kishte shpallur fajtor Durim Lushajn dhe ndaj tij kishte shqiptuar dënim unik me 25 viteve burgim për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje.
Fajtor ishte shpallur edhe Sali Lushaj, ku ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik me 18 vite burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje e armëmbajtje pa leje.
Gjykata e Apelit, më 3 korrik 2018, kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve si të bazuara dhe ëështjen e ka kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale dhe vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike, raporton Betimi për Drejtësi, përcjell Gazeta Enigma.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohet se me 25 gusht 2016, rreth orës 18:30, në fshatin Shaptej të Komunës së Deëanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, me armë zjarri ka privuar nga jeta Rexhep Ramajn.
Sipas aktakuzës, i njëjti pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramajn, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt, po ashtu me armë zjarri.
Sipas aktakuzës, ata me këto veprime kanë vënë në rrezik edhe jetën e të miturit A.R dhe Gani Ramajt e Mustafë Ramajt.
Që të dy akuzohen nga prokuroria për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe veprës penale të armëmbajtjes pa leje.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.