Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit njoftoi se vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e rrymës mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
Ai këtë deklarim e ka bërë në konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ku ka thënë se si parti opozitare kanë adresuar çështjet dhe do të shkojnë edhe më tej.
Gjithashtu, Tahiri ka deklaruar se edhe Gjykata Kushtetuese është një prej opsioneve që po shqyrtohet për adresimin e shtrenjtimit të rrymës, pasi ai konsideron se çmimet janë të papërballueshme për qytetarët.
“Se çfarë bën një parti opozitare, ne e kemi bërë. Kemi adresuar çështje që mendojmë se janë të rëndësishme. Ky çmim është i pakapshëm për qytetarët e Kosovës dhe ne do t’i shfrytëzojmë mekanizmat, e një prej tyre është edhe adresimi tek Gjykata Kushtetuese.”, tha ai.
Ndër të tjera, Tahiri ka thënë se qeveria nuk është transparente sa i përket hartimit të Ligjit të Pagave.
Ndërsa kur foli për procesin e dialogut, Tahiri tha se ky proces duhet të përmbyllet, ndërsa gjatë kohës sa është dialoguar me Serbinë, sipas tij, Kosova nuk ka pasur ndonjë përfitim.
“Kemi kërkuar që të ketë një raportim të kryeministrit dhe Kuvendi i Kosovës ta mbikëqyrin një proces jetik për Kosovën, që ka mobilizuar faktorin ndërkombëtar. Kemi ndërmjetësuesin e Britanisë, përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Gjermanisë, ndërsa Kosova disi po shkon qysheve, skejeve. Tema të vogla, pa e adresu çështjen thelbësore, e ajo është marrëveshje ligjërisht të obligueshme dhe e cila krijon njohjen reciproke dhe mbyllë një temë siç është dialogu që po konsumon kohë të gjatë të punës së qeverisë së tashme dhe shumë qeverive të deritanishme”, tha Tahiri. / Gazeta Enigma.