Diplomati ukrainas: Ukraina nuk ka pajisje të mjaftueshme për të zmbrapsur Rusinë

Diplomati ukrainas: Ukraina nuk ka pajisje të mjaftueshme për të zmbrapsur Rusinë

Ukraina aktualisht nuk ka pajisje të mjaftueshme ushtarake për t’u mbrojtur, ka deklaruar të enjten ambasadori ukrainas në Mbretërinë e Bashkuar, Vadym Prystaiko.

“Në këtë moment të veçantë, ne kemi mjaft njerëz, por nuk kemi pajisje të mjaftueshme”, ka thënë Prystaiko kur u pyet nëse forcat e Ukrainës në terren janë të afta të zmbrapsin sulmin rus.

Ndërsa foli me gazetarët në Ambasadën e Ukrainës në Londër, ai shtoi se Ukraina ka qenë e hapur për nevojën për pajisje ushtarake, plus mbështetje financiare dhe humanitare nga vendet e tjera.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të shpallin një paketë mbështetjeje humanitare për Ukrainën më vonë të enjten, si dhe sanksione kundër Rusisë.

“Por ne po bëjmë një luftë të vërtetë. Tanke, helikopterë, aeroplanë duke u rrëzuar. Ne po mbrojmë tokën tonë”, ka shtuar Prystaiko.

Disa zona janë të vështira për t’u mbrojtur, pranoi ai, me Rusinë që bllokon Detin e Zi dhe Detin Azov.

“Kjo po kufizon aftësitë e Ukrainës për të sjellë përforcime dhe furnizime”, ka thënë ai, duke shtuar se furnizimet humanitare do të nevojiten “shumë shpejt, në mënyrë kritike”./GazetaEnigma/

Related Articles