Inspektorati i Punës vitin e kaluar ka pranuar 650 ankesa nga punëtorët të cilët kanë akuzuar punëdhënësit e tyre se nuk janë duke i respektuar të drejtat e tyre të cilat janë të garantuara me ligj dhe ankesat kanë të bëjnë me pushimin vjetor e javor, shkëputja e paligjshme e marrëdhënies së punës si dhe puna në kushte të vështira.
Agim Millaku nga Inspektorati i Punës ka deklaruar se për shkak të numrit të vogël të inspektorëve në nivel vendi që është 40 ata janë detyruar që të riorganizojnë punën e tyre. Ai thotë se janë të përkushtuar të trajtojnë ankesat e punëtorëve por edhe të merren me inspektimet në terren. Sa i përket sigurisë së punëtoreve, Millaku deklaron se ata janë të koncentruar më shumë në sektorin e ndërtimit ku edhe aksidentet në punë kanë qenë më të shpeshta.
“Jemi të përkushtuar në garantimin e të drejtave të punëtorëve. Sa i përket sigurisë ne i kemi shpërndarë kapacitet tona me qëllim që të mbrohet jeta dhe shëndeti i punëtorëve pra i kemi caktuar prioritetet aty ku kemi numrin më të madh të aksidenteve dhe shihet se kemi përparim. Shumica e subjekteve të cilat merren me ndërtim i kanë skelet e vendosura. Ka edhe inspektime në terren dhe ne po mundohemi që të realizojmë detyrat tona” ka thënë ai.
Ndërkaq nga Bashkimi i Sindikatave të Kosovës, Avni Hajdini ka deklaruar se ata presin nga Qeveria e Kosovës të realizojë reformat ku parashihen edhe sigurimet shëndetësore, rritja e pagës minimale për punëtoret, ligji për paga etj. Ai thotë se nuk sheh përmisim të kushteve të punëtorëve.
“Përmirësim nuk ka, derisa me 40 inspektorë tentojmë të inspektojmë mbi 80 mijë biznese. Edhe këta janë në hall të madh, si mund të inspektohen aq shumë biznese me kaq pak inspektorë. Për atë arsye, themi që nuk është puna e kënaqshme me sigurinë dhe shëndetin në punë” ka thënë ai.