Kompania që zotëron Google, Alphabet, ka rritur ndjeshëm përfitimet monetare gjatë 3-mujorit të parë të vitit. Kjo për shkak të pandemisë globale pasi njerëzit kanë përdorur në masë internetin.
Sipas të dhënave të pasqyruara nga kompania, fitimi neto u rrit me 162% ose të përkthyera në vlera në 17.9 miliardë Dollarë. Këto shifra tregojnë rritje rekord të të ardhurave nga Google, raporton BBC.
“Gjatë vitit të kaluar njerëzit kanë përdorur më shumë motorin e kërkimit Google Search për më shumë shërbime në internet, për të qenë të informuar por edhe për t’u argëtuar”, kanë thënë kompania Alphabet dhe shefi ekzekutiv i Google, Sundar Pichai.
Edhe reklamat në Google janë rritur së tepërmi gjatë muajve të pandemisë, duke rritur ndjeshëm të ardhurat e kompanisë.
Problemi i vetëm me të cilin përballet gjigandi i teknologjisë janë çështje të tilla si konkurrenca dhe privatësia. Dy ditë më parë, kompania teknologjike Roku akuzoi Google për shkelje të rregullave të konkurrencës për të rritur përfitimet në Youtube.
Ndërkohë, rregullatorët amerikanë dhe europianë vazhdojnë të diskutojnë për të rritur akoma më shumë mbikëqyrjen ndaj Google dhe kompanive të tjera teknologjike, por ende nuk kanë rënë dakord për legjislacionin.