Një pyetje për orën që kishte zgjedhur të mbante në dorë i dha themeluesit të Meta-s, Mark Zuckerberg, mundësinë të fliste për një prej emrave më të njohur të orëndreqjes së pavarur moderne, Rexhep Rexhepin, me origjinë nga Kosova.
Gjatë një aktiviteti të Meta-s, Zuckerberg u pyet për modelin e orës që mbante dhe zbuloi se ajo ishte Chronomètre Contemporain I, një prej krijimeve të orëndreqësit Rexhep Rexhepi.
“Është një krijim i Rexhepit. Është fantastike!”, tha Zuckerberg, duke treguar orën.
Modeli që kishte zgjedhur miliarderi amerikan është i punuar me kasë prej floriri rozë 18-karatësh dhe fushë të zezë prej smalti, të realizuar përmes teknikës tradicionale “grand feu”.
Chronomètre Contemporain I është gjithashtu një nga modelet që ka fituar vlerë të konsiderueshme në tregun e koleksionistëve. Fillimisht, ora ishte ofruar për rreth 55 deri në 60 mijë dollarë, ndërsa një ekzemplar i saj është shitur më vonë në ankand për rreth 1.26 milionë dollarë.
Vlera e lartë lidhet edhe me prodhimin e kufizuar të orëve të Rexhepit. Punishtja e tij në Gjenevë prodhon vetëm rreth 40 deri në 50 orë në vit, ndërsa një pjesë e madhe e procesit realizohet me dorë.
Rexhep Rexhepi ka lindur në Kosovë dhe u zhvendos me familjen në Gjenevë kur ishte 11-vjeçar. Katër vite më vonë, ai nisi praktikën pranë Patek Philippe, duke u futur në botën e orëndreqjes zvicerane që në moshë të re.
Në moshën 25-vjeçare, ai themeloi markën e tij, Akrivia, e cila me kalimin e viteve u shndërrua në një prej emrave të njohur të orëndreqjes së pavarur.
Krijimet e tij kanë arritur vlera të larta në ankande. Një prej orëve të Rexhepit është shitur për 2.3 milionë dollarë, ndërsa Chronomètre Contemporain I ka kaluar shifrën e 1.26 milionë dollarëve.
Pavarësisht kërkesës së lartë, Rexhepi ka zgjedhur të mbajë prodhimin në nivele të kufizuara. Ai ka treguar gjithashtu se ka refuzuar oferta prej 800 mijë dhe 1 milion dollarësh për modele që nuk prodhohen më, duke mos pranuar t’i rikthejë ato në prodhim.
