Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko ka paralajmëruar të martën përmes një videomesazhi se “armiku është në periferi të kryeqytetit”, duke shtuar se ushtria ukrainase është duke u përgatitur për të mbrojtur Kievin.
“Forcat tona të armatosura janë duke luftuar heroikisht për tokën tonë. Në hyrjet e qytetit janë ndërtuar fortifikime dhe postblloqe. U kërkoj të gjithëve të ruajnë qetësinë. Mos dilni jashtë pa nevojë dhe qëndroni në strehimore në rast alarmi”, shtoi ai.
Një kolonë masive ushtarake ruse 40 milje e gjatë, e përbërë nga automjete të blinduara, tanke, artileri të tërhequr dhe mjete të tjera logjistike, ka arritur në periferi të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, sipas imazheve satelitore nga Maxar Technologies.
Në një video-mesazh të mëparshëm, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se mbrojtja e Kievit është “prioriteti kryesor i qeverisë”.
“Kiev është i veçantë. Nëse mbrojmë Kievin, do të mbrojmë edhe shtetin. Kjo është zemra e vendit tonë dhe duhet të vazhdojë të rrahë”, tha Zelensky./GazetaEnigma/