Të martën, Agjencia Kundër Korrupsionit ka njoftuar se ka dorëzuar 183 kallëzime penale ndaj zyrtarëve që s’e kanë deklaruar pasurinë. Në listën e kallëzimeve penale përfshihen edhe ministra, sekretarë, prokurororë, gjyqtarë e asambleist, raporton Gazeta “Enigma”.
Përmes një postimi në faqen zyrtare, Agjencia ka bërë me dije se nga sot fillon procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve publik.
“Me qëllim të theksimit të rëndësisë të raportimit të saktë dhe në kohë të pasurisë, subjekteve deklaruese informohen që lidhje me veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare sipas nenit 430 të Kodit Penal të Kosovës Kodi Nr. 06/L-074” në vitin 2021, Agjencia ka ushtruar rreth 140 kallëzime penale, ndërsa vetëm në muajin shkurt 2022 janë dorëzuar edhe 43 raste në Prokurorinë e Shtetit.
Në listën e kallëzimeve penale përfshihen zyrtarë të lartë nga niveli i ministrit, sekretarë të përgjithshëm, prokuror, gjyqtar e deri te anëtarët e kuvendeve komunale”, thuhet në njoftim.