Kina e ka hedhur poshtë një raport të inteligjencës perëndimore që tregon se zyrtarët e këtij shteti i kanë kërkuar Rusisë që të priste derisa të përfundonin Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit, përpara se të fillonte pushtimin e Ukrainës.
Siç shkruan CNN, Ministria e Jashtme e Kinës e ka quajtur historinë “krejtësisht të rreme” dhe një përpjekje për të “tërhequr vëmendjen dhe fajin”.
CNN ka raportuar më herët se sipas informacioneve nga një burim i njohur me inteligjencën, se zyrtarët amerikanë e shohin gjerësisht raportin si të besueshëm, por të dhënat e tij janë të hapura për interpretim.
Ekzistenca e raportit u publikua për herë të parë nga New York Times.
“Ne shpresojmë që ata që janë përgjegjës për krizën duhet të reflektojnë mbi rolin e tyre në krizën e Ukrainës, të marrin përgjegjësitë e tyre të duhura dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të lehtësuar situatën dhe për të zgjidhur çështjen, në vend që të fajësojnë të tjerët,” tha zëdhënësi i ministrisë Wang Wenbin në një konferencë./Gazeta Enigma/