Dabiqaj para derbit me Dritën: Nuk shohim prapa, do të mundohemi t’i bëjmë krenar sërish “Skifterat”

Dabiqaj para derbit me Dritën: Nuk shohim prapa, do të mundohemi t’i bëjmë krenar sërish “Skifterat”

Derbi më i madh kosovar në futboll do të luhet këtë mesjavë.

Skuadra e Dritës e mirëpret Gjilanin të enjten me fillim nga ora 13:00, në kuadër të xhiros së 24’të të të Superligës së Kosovës.

Mesfushori i Gjilanit, Albert Dabiqaj potencon se skuadra e tij është përgatitur maksimalisht për këtë derbi.

“Jemi të përgatitun maksimalisht për këtë ndeshje, pasi që e dijmë rëndësinë e pikëve në rend të parë, pastaj edhe për historinë e derbit. Do mundohemi të gabojmë më pak, të jemi të përqendruar dhe të shfrytëzojmë mundësitë që do na jepen”, tha fillimisht Albert Dabiqaj për ‘GazetaBlic Sport’.

25 vjeçari shton se skuadra e tij nuk sheh prapa në renditjen tabelare, pasi ka të qartë objektivin për këtë stinor.

“Ne kemi objektivat tona dhe nuk shohim prapa. Kemi ndeshje për të bërë dhe do mundohemi që në secilën prej tyre të marrim maksimumin e mundur. Fitorja në derbi përveçse na jep moral të lartë për të vazhduar tutje, gjithashtu na shtynë edhe më përpara drejt objektivave tonë”, vazhdoi Dabiqaj.

Në fund, ‘motorri’ i SC Gjilanit ju premtoi “Skifterave” angazhim maksimal në këtë duel.

“Ju premtojmë si gjithmonë maksimumin. Do të luftojmë në çdo pëllëmb të fushës dhe do mundohemi t’i bëjmë krenar sërish. Presim mbështetje maksimale si gjithmonë dhe shpresojmë se në fund do festojmë sërish së bashku”, përfundoi ai.

Vlen të shtohet se skuadra e Gjilanit ndodhet në vendin e dytë në tabelë me 46 pikë, pesë më shumë se Drita që pozicionohet në vendin e tretë me 41 pikë.

Related Articles