Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka takuar sot shefin e BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomáš Szunyog, me të cilin ka biseduar për situatën në Kosovë dhe rajon pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse kundër Ukrainës.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka kërkuar ndihmë nga BE pas rritjes së çmimeve në vend për shumë produkte e shërbime.
Sipas njoftimit nga Presidenca, ambasadori Szunyog shprehi falënderimin e Bashkimit Evropian për qëndrimin dhe veprimet e qarta të institucioneve të Republikës së Kosovës në kundërshtim të agresionit rus dhe hapave të ndërmarra që janë në harmoni me veprimet e Bashkimit Evropian.
“Presidentja kërkoi që Bashkimi Evropian t’i ofrojë mbështetje Kosovës në ballafaqim me pasojat ekonomike që rezultuan me rritje çmimesh, pas fillimit të luftës në Ukrainë”, thuhet në njoftim.
“Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj për mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe theksoi se Serbia mbetet njëri nga shtetet e pakta evropiane që nuk e kanë harmonizuar politikën e tyre të jashtme me Bashkimin Evropian, gjë që rrezikon stabilitetin e gjithë rajonit”, thuhet në fund.