Ish-ambasadori i Kosovës në Bullgari, Edon Cana, ka reaguar pas demantimit që i bëri zëvendëssekretari i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi.
Cana thotë se turpërohet nga këto veprime amatoreske të cilat i cilëson si tepër të dëmshme për Kosovën, raporton Gazeta Enigma.
“Turpërohem me këto veprime amatoreske dhe tepër të dëmshme për Republikën e Kosovës. Bjorn Berge është mik i Kosovës dhe kemi punuar shumë bashkërisht që ta përafrojmë Kosovën me Këshillin e Evropës”.
Tutje, Cana thotë se skandali me gënjeshtra i “Profesor” Bislimit e diskrediton Kosovën dhe diplomacinë e saj.
“Kemi pasur derën e hapur në çdo kohë në Këshillin e Evropës dhe kjo në një masë te madhe duke ju falënderuar Bjornit, i cili asokohe gjatë mandatit tim ishte Shef i Kabinetit i Sekretarit të Përgjithshëm Jagland. Skandali me rrena i ‘Profesorit’ Bislimi diskrediton Kosovën, diplomacinë e saj dhe gjithë diplomatët e saj sepse kur humb vlera e besimit ne diplomaci atëherë nuk mbetet asgjë”, ka shkruar Cana në rrjetin social Facebook.
Kujtojmë se Bislimi ka bërë të ditur se gjatë takimit me Berge kanë diskutuar mbi aplikimin e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për integrim në Bashkimin Evropian dhe sipas tij, gjatë bashkëbisedimit u theksua se progresi i Kosovës në reformat e rekomandimet e BE ka vijuar me rezultate pozitive.
Teksa, pas kësaj Borge reagoi duke thënë se ajo çfarë është biseduar me Bislimin, nuk qëndron.
“Fatkeqësisht, ky nuk është një përshkrim i saktë i asaj që deklarova në takim në lidhje me një aplikim të mundshëm në Këshillin e Evropës”, ka shkrur Berge në Tëitter, në një replikë të asaj që ka shkruar Bislimi./Gazeta Enigma/