Dhjetë vite pas miratimit në Kuvendin e Kosovës, më 8 maj, 2012, Ligji për Fondet Pensionale mund të pësojë ndryshime nëse kalojnë amandamentet e iniciuara nga Bekim Haxhiu, një deputet i opozitës në Kuvendin e Kosovës.
Haxhiu procedoi të premten në kuvend propozimin ligjor për ndryshimin e ligjit, me synimin për t’iu mundësuar kontributdhënësve në Trustin Pensional tërheqjen deri në 30 për qind të mjeteve të kursyera në fond.
Por cilat janë procedurat që duhet ndjekur ligjvënësit kosovarë dhe sa kohë mund të marrë ndryshimi i Ligjit për Fondet Pensionale?
Sipas procedurave burokratike të kuvendit, nisma ligjore e deputetit duhet të marrë mbështetjen e pesë deputetëve të tjerë, të kalojë në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, të shqyrtohet në Komisionin për Buxhet dhe Financa, të shqyrtohet në katër komisionet e tjera, të përhershme parlamentare dhe të hidhet në votim në dy lexime në një seancë të kuvendit.
Për të hyrë në rend dite për procedim në Kryesinë e Kuvendit, projektligji duhet të ketë mbështetjen e së paku gjashtë deputetëve propozues. Rregullorja e kuvendit thotë se nisma e deputetit shkon në shqyrtim në një mbledhje plenare të kuvendit, më së gjati, në afat prej dy muajsh.
Projektligji iu dorëzohet deputetëve, të cilët kanë katër javë kohë që ta shqyrtojnë atë para se të shkojë për votim në lexim të parë.
Anëtarët e Komisionit për Buxhet, Financa dhe Transfere duhet ta shqyrtojnë dhe aprovojnë procedimin e tij në seancë për votim.
Nëse projektligji nuk i merr shumicën e votave të anëtarëve të Komisionit për Buxhet, Financa dhe Transfereve, ai nuk kalon fare për shqyrtim në seancën e kuvendit.
Nëse i kalon këto procedura dhe ka përkrahjen e deputetëve, projektligji e kalon procedurën e parë, apo siç njihet në gjuhën parlamentare, aprovohet në lexim të parë.
Për të kaluar në fazën e dytë, në lexim të dytë, projektligji u shkon komisioneve të përhershme për harmonizim.
Komisionet e përhershme raportet e veta për Ligjin duhet t’ia paraqesin komisionit funksional, në afat prej dhjetë (10) ditë pune, nga dita e pranimit të amendamenteve nga komisioni funksional – raportues.
Pra, janë 4 komisione të përhershme që secilit i duhet – së paku – 10 ditë kohë për të shqyrtuar ndryshimin e Ligjit për Fondet pensionale të Kosovës. Këto komisione janë: Komisioni për Buxhet dhe Financa, Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi,si dhe Komisioni për Integrime Evropiane.
Ndryshimi i Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës duhet të marrë së paku shumicën e thjeshtë të votave të deputetëve, 61 vota, në mënyrë që të miratohet.
Ligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga Kryetari i Kuvendit, në afat prej dhjetë ditë pune, nga dita e miratimit dhe pastaj i njëjti i dërgohet Presidentit të Republikës për shpallje.
Pas nënshkrimit të presidentit të vendit, ligji hyn në fuqi dhjetë ditë pas shpalljes së Gazetën Zyrtare.
As opozita e plotë nuk e përkrah iniciativën e Haxhiut
Kundër idesë së PDK-së për tërheqje të 10% të trustit javë më parë është deklaruar edhe deputeti i LDK-së dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti.
Ai ka thënë se bizneset janë duke funksionuar mirë dhe punësimi është normalizuar.
Edhe partia që udhëheq me qeverinë, Lëvizja Vetëvendosje, është deklaruar kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti.
Gjatë qeverisjes së kaluar, mbi 197 milionë euro ishin tërhequr nga Fondi Pensional me vendimin e vetë Hotit në vitin 2020./Gazeta Enigma/