Lionel Messi nuk po mundet assesi ta kapërdijë faktin se ka nisur të kontestohet nga tifozët e tij.
Një gjë e tillë nuk i kishte ndodhur yllit argjentinas.
Dhe, mediat franceze shkruajnë se shtatë herë fituesi i Topit të Artë i ka përjetuar mjaft rëndë dje vërshëllimat që ia bënë tifozët e Paris Saint-Germainit në duel me Bordeaux.
Tifozët francezë kanë mbetur të dëshpëruar me kontributin e zbehtë të ish-futbollistit të Barcelonës në këta muaj.
E kulmi arriti në “Santiago Bernabeu”, ku Messi ishte vetëm një hije.
Tash, kur tifozët ia kanë kthyer shpinën, Messi po e mendon largimin nga Parisi.
Për këtë sigurojnë mediat franceze dhe ato spanjolle.
Sipas tyre, Leo nuk e ka gjetur asnjëherë veten në “Parkun e Princave”, ku ishte transferuar si lojtar i lirë.
Andaj, në mendjen e tij është rikthimi në Barcelonë, ku e kaloi pjesën më të mirë të karrierë dhe ku fitoi gjithçka të mundshme.
Gjithashtu, në opsion i ka edhe ofertat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan “Gazeta Express”.
Mirëpo, ai ndien se mund të luajë ende në nivele të larta dhe ligën MLS e sheh si të ardhme të tij dikur më vonë.
Dje, mediat spanjolle shkruan se babai i lojtarit, Jorge Messi tashmë ka biseduar me drejtuesit e Barçës për një rikthim të mundshëm të të birit të tij në “Camp Nou”.
Natyrisht, problem mund të jetë rroga stratosferike që e merr Messi në Paris.
Por, me një sakrificë të tij gjithçka është e mundshme.
Disa dashuri, nuk përfundojnë kurrë…