Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me rritjen e mbështetjes përmes subvencioneve dhe granteve, synon stimulimin dhe rritjen e cilësisë së prodhimit dhe përpunimit bujqësor në të gjithë vendin.
Kështu është shprehur ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, gjatë vizitës që i ka bërë sot qendrës grumbulluese për pemë e perime “Agro Celina”, në fshatin Xërxë të Komunës së Rahovecit, vizitë kjo që vjen pas rritjes së përkrahjes 100% për perimtarë që kultivojnë perime në sera dhe 85% për perimtarët që kultivojnë në fushë të hapur.
Gjatë kësaj vizite, ministri Peci i ka njoftuar ata me masat e reja mbështetëse në kuadër të programeve të këtij viti.
“Gjatë mandatit tim si ministër i Bujqësisë, do të përkushtohem maksimalisht që Programi për Pagesa Direkte dhe Programi për Zhvillim Rural, ta plotësojnë njëri-tjetrin, duke krijuar kështu një zinxhir vlere të qëndrueshëm, duke ndjekur rrugëtimin e produktit nga toka në tryezë, duke luftuar informalitetin dhe duke asistuar në sigurimin e tregjeve për prodhimet bujqësore”, theksoi Peci.
Siç thuhet në komunikatë, në kuadër të kësaj vizite, Peci ka takuar edhe fermerët e bujqit, të cilët bashkëpunojnë me “Agro Celinën”, të cilët përpos se të kënaqur me rritjen e përkrahjes 100% për perimet në sera dhe 85% për perimet në fushë të hapur, treguan se e shohin me pozitivitet subvencionimin e primit të sigurimit për 75% të vlerës në total.
Ministri, me këtë rast, i ka njoftuar agrobizneset dhe fermerët e këtij rajoni se për një periudhë të shkurtër kohore do ta nënshkruajë Programin për Zhvillim Rural – Grante për vitin 2022, në të cilin ka theksuar se janë duke i parë modalitetet e duhura për rritje të mbështetjes./Gazeta Enigma/