Valon Murseli ka konfirmuar qëndrimin në krye të presidencës në Klubin Futbollistik “Drita”, pavarësisht informacioneve të fundit që e lidhnin atë me një dorëheqje të mundshme në fund të edicionit.
Përmes një letre të hapur drejtuar tifozëve në faqen zyrtare të klubit, Murseli ka konfirmuar se do të vazhdojë të mbetet edhe më tej në krye të tyre. Ndër të tjerash, ai ka konfirmuar se dorëheqjen e ka menduar për shkak të angazhimeve të shumta, por asnjëherë jo për t’u larguar nga aksionet që ka brenda në klub.
Ky është postimi i plotë:
Te dashur INTELEKTUAL besnik dhe ju adhurues të futbollit.
Klubi jonë FC DRITA në dy ndeshjet e fundit nuk ka marrë rezultate pozitive duke e vështirësuar shumë rrugën drejt mbrojtjes së titullit Kampion!
Jemi të vetëdijshëm që këto rezultate negative tek disa tifozë e kanë zbehur besimin për suksese, por DRITA edhe në vitet më të lavdishme të saja, ka kaluar nëpër këso llojë pengesash e presione dhe nuk ka pasur forcë që e ka ndalu drejt qëllimit të saj.
Sot jemi edhe ne të zhgënjyer së bashku me ju për këto rezultate negative andaj edhe ju kërkojmë falje, sepse futbolli i ka të gjitha rezultatet andaj ne si një ekip Kampion i vendit duhet ta pranojmë çdo rezultat!
Duke pas parasyshë angazhimet e mija familjare dhe të bizneseve gjithandej nëpër botë, tash e një vitë kam menduar tërheqjen nga posti i presidentit të klubit por asnjehere nga aksionet qe kam në klub!
Në këto momente jemi të fokusuar tërësisht në ndeshjet e radhës dhe dorheqja ime nuk bëhet fjalë tani, sepse ne logaritë i bëjmë në fund të sezonit!
Klubi do të jetë në duar të sigurta dhe do të vazhdojë sigurt drejtë synimeve tona të përbashkëta edhe për shumë vite!
Forca DRITA
Me respekt,
Valoni
Murseli erdhi në krye të FC Dritës pesë vite më parë, teksa së bashku me donatorin tjetër Flamur Bunjaki morën drejtimin e ‘bardhekaltërve’ për ta dërguar drejt dy titujve kampion dhe fitimit të Superligës.
Po ashtu, nën drejtimin e Murselit dhe Bunjakut, Drita doli dy herë në Evropë dhe pati sukses të jashtëzakonshëm, duke arritur deri në rundin e dytë kualifikues në Ligën e Evropës.