Kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Medie dhe Zhvillim Rajonal, Doarsa Kica – Xhelili, ka dhënë sqarime rreth procesit të përzgjedhjes të drejtorit të RTK-së.
Ajo thotë se poentat finale të kandidatëve, do të jenë të kombinuara të testit me shkrim, dhe me gojë. Ndër të tjera, ajo ka shtuar testimi është obligim që rrjedhë nga rregulloret e RTK-së.
Kryetarja e Komisionit, ka deklaruar se tani RTK e ka një mundësi optimale të zhvillohet tani që ka një Bord të pavarur, i cili u zgjodh në një ndër proceset më të vështira, e më transparente në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Përfundimisht, duhet ta kuptojmë që ky Bord do ta monitoroj KËDO që zgjedhet drejtor. Suksesi i drejtorit do të jetë njëkohësisht sukses i Bordit, sikurse do të jetë përgjegjësi e Bordit që të kërkoj llogari në dështime të drejtorit”.
“Këtë gjë Bordi e ka të qartë. Duke uruar që ky proces të përmbyllet me sukses, unë ua premtoj vetëm një gjë: Jo vetëm që do të sigurohem që të mos tolerohen parregullësitë, por me ngulm edhe më të madh, do të sigurohem që të mos tolerohen tentativat për ndikime, çfarëdo e nga kushdo qofshin ato, dhe jo vetëm të mos i toleroj, por t’i raportoj”, thotë mes tjerash ajo. /Gazeta Enigma/.