Një gjykatë në Rusi e ka shpallur fajtor politikanin opozitar, Alexei Navalny nën akuzat për përvetësim, të cilat mund t’ia shtojnë atij edhe një dekadë në dënimin me burgim, që veçse është duke e vuajtur.
Gjykatësja, Margarita Kotova ka lexuar dënimin e tij më 22 mars në një burg jashtë Moskës, ku është duke u mbajtur Navalny.
Ajo nuk e ka bërë të ditur ende dënimin.
Prokurorët kanë kërkuar dënim me burgim për 13 vjet.
Navalny ka kaluar vitin e kaluar në burg për akuza të ndryshme pas kthimit në Rusi nga Gjermania, ku është trajtuar pas sulmit gati fatal me agjent nervor.
Navalny fajëson Kremlinin për këtë sulm, mirëpo ky i fundit hedh poshtë akuzat.
Rasti ndaj Navalnyt ka nisur në dhjetor të vitit 2020, nën dyshimet se 45-vjeçari ka përvetësuar para nga Fondacioni i tij Kundër-Korrupsionit.
Hetuesit kanë akuzuar Navalnyn se ka marrë rreth 33 mijë dollarë amerikanë të donacioneve për përdorim personal.
Navalny hedh poshtë të gjitha akuzat dhe i konsideron të motivuara politikisht.