Në komunën e Kamenicës organizata “UNDP” dhe “IOM” kanë dhuruar donacion për 176 familjet me asistencë sociale, kuponë të cilët do t’i përdorin për të marr gjëra ushqimore.
Drejtoresha e drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Suna Zajmi-Krasniqi ka thënë se komuna është duke kërkuar mbështetje për familjet në nevojë.
“Donacionet e tilla janë të mirëseardhura e sidomos kur bëhet fjalë për familjet në nevojë. Jemi në vazhdimësi në kërkim të donacioneve të tilla të cilat sado pak i ndihmojnë këto familje”, është shprehur ajo.
Udhëheqësi i Qendrës për punë Sociale Rifat Hajdari, së bashku me zyrtarë nga kjo qendër nga sot kanë filluar shpërndarjen e këtyre kuponëve, ku vlera e tyre është 60 dhe 70 euro.
Familjet me asistencë sociale varësisht nga numri i anëtarëve do të mund t’i shfrytëzojnë këta kuponë në market.
Kriteret për përzgjedhjen e familjeve janë: nënat vetushqyese, gjendja e vështirë ekonomike e familjes, familjet të cilat janë në gjendje të rëndë sociale dhe kanë shumë fëmijë në shkollë, familjet anëtarët e të cilave kanë problem shëndetësore, si dhe familjet në viset e thella rurale.
Po ashtu këta kuponë do të shpërndahen edhe për komunitetin romë dhe serbë pas disa ditëve.