Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se me hidhërim të thellë ka mësuar për ndarjen nga jeta të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.
Meta me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ajo mishëronte në mënyrë të përkryer vlerat më të shkëlqyera të demokracisë amerikane.
“Me personalitetin e saj të jashtëzakonshëm, Zonja Albright fuqizoi rolin e gruas në politikë dhe frymëzoi gratë kudo në botë për lidership dhe barazi në vendimmarrje. Roli i saj për çlirimin e Kosovës dhe vendosjen e paqes së qëndrueshme në rajonin tonë ishte jetik dhe mbetet historik, duke i dhënë fund dhunimit dhe spastrimit etnik të shqiptarëve nga regjimi kriminal i Millosheviqit, në momentet më kritike për ta dhe të ardhmen e Ballkanit. Shqiptarët i janë mirënjohës veprës dhe përkushtimit të saj për vëmendjen e posaçme në forcimin e marrëdhënieve strategjike Shqipëri-SHBA”, ka shkruar Meta.