Njësitë e xhandarmërisë serbe i kanë arrestuar dy shtetas të Kosovës të premten rreth orës 14:00, në zonën kufitare Kosovë-Serbi.
Demokracia.com ka mësuar se të arrestuarit janë Nexhmi M. 53 vjeçar dhe Gentian M. 21 vjeçar.
Ata ishin arrestuar nga xhandarmëria serbe në fshatin Perpellac të Podujevës.
Të njëjtëve, Demokracia.com ka mësuar se autoritetet serbe ua kanë konfiskuar edhe një traktor me rimorkio, me të cilin ishin duke e punuar arën.
Veç kësaj, marret vesh se të njëjtit e kanë kontaktuar familjen e tyre dhe ua kanë konfirmuar se aktualisht ndodhen në Serbi.
Rasti në polici është lajmëruar nga një familjar i tyre gjatë ditës së sotme, me të cilin ka komunikuar Demokracia.com, mirëpo i njëjti nuk ka shprehur gatishmëri të prononcohet rreth kësaj ngjarjeje.